Çfarë është menopauza?


Menopauza është periudha në jetën e një gruaje gjatë së cilës ndalon cikli menstrual, me shumë mundësi atëherë kur vezoret (ovaret) ndalojnë së prodhuari estrogjen. Mungesa e ciklit për 12 muaj rresht (në mungesë të shkaqeve të tjera të dukshme) është kriteri kryesor për të thënë se keni hyrë në menopauzë. Kur kjo ndodh, një femër nuk është më e aftë që të ngelet shtatzëne. Mosha mesatare e menopauzës është 51 vjeç, me një periudhë tranzicioni midis moshës 45 dhe 55 vjeç.

Edhe pse shumë gra kanë perioda të rralla, shumë prej tyre besojnë se janë në menopauzë, por në fakt kjo periudhë quhet periudhë tranzicioni - perimenopauzë. Është pikërisht në këtë periudhë që, trupi i gruas kalon tranzicionin natyral në menopauzë. Zakonisht, kjo ndodh rreth moshës 40 vjeçare.

Shumë prej ndryshimeve që përjetohen përgjatë perimenopauzës janë si pasojë e pakësimit të estrogjenit, i cili së bashku me progesteronin, rritet e pakësohet përgjatë rrugës drejt menopauzës.

Çfarë është depresioni?


Depresioni është një çrregullim humori, i cili shkakton mërzitje të qëndrueshme ose humbje të interesit dhe ndikon në mënyrën se si ndiheni, mendoni apo përballeni me veprimtaritë e jetës së përditshme. Dy format më të zakonshme të çrregullimit depresiv janë çrregullimi depresiv madhor dhe çrregullimi depresiv i vazhdueshëm (distimia). Simptomat më të zakonshme të depresionit përfshijnë mërzitjen, mungesën e interesit në gjërat që më parë të falnin kënaqësi, nervozizëm, lodhje dhe ndjesi i të qenit i pashpresë, ndjenja pavlefshmërie dhe pesimizmi të shoqëruara me simptoma fizike.

Depresioni madhor është çrregullimi depresiv i diagnostikuar më shpesh. Ai karakterizohet nga prania e simptomave të depresionit pjesën më të madhe të ditës, pothuajse çdo ditë përgjatë të paktën dy javëve dhe që ndërhyn në aftësinë tuaj për të punuar, fjetur, studiuar, ushqyer dhe të shijuarit të jetës.

Si janë të lidhura me njëra tjetrën?


Shumë femra, të cilat po përjetojnë periudhën e perimenopauzës ose menopauzës mund të thonë se ndryshimet e menjëhershme të niveleve të hormoneve mund të çojnë në ndjenja depresive. Pavarësisht nëse janë fillim i simptomave të depresionit apo përkeqësim i simptomave të një diagnoze tashmë të pranishme, përballja me ndryshimet e humorit së bashku me simptoma të tjera, mundet që në periudha të caktuara, të jetë rraskapitëse.

Vetëm së fundmi, komuniteti mjekësor ka hartuar udhëzues për të vlerësuar dhe trajtuar depresionin gjatë perimenopauzës.

Disa nga sfidat në vlerësimin e depresionit gjatë perimenopauzës i dedikohen mbivendosjes së simptomave që lidhen me ndryshimet hormonale me simptomat e zakonshme të depresionit dhe me simptoma të tjera të menopauzës, që shpesh shfaqen në mënyrë të ngjashme.

Simptomat si pagjumësia, afshet e të nxehtit, shqetësimet e gjumit dhe problemet e humorit janë të zakonshme gjatë perimenopauzës dhe menopauzës.

Rreziku i shfaqjes së simptomave që lidhen me depresionin rritet te femrat që janë duke bërë kalimin në menopauzë.

Simptomat


- Simptomat dhe shenjat e depresionit përfshijnë:
- Praninë e vazhdueshme të mërzitjes, ankthit, mungesës së shpresës dhe pesimizmit
- Ndjenja pavlefshmërie
- Mungesë energjie ose lodhje
- Nervozizëm
- Mungesë e interesit në veprimtari që më parë falnin kënaqësi
- Vështirësi me gjumin ose gjumë të tepërt
- Ndryshime të oreksit dhe peshës
- Vështirësi në përqëndrim, kujtesë ose marrjen e vendimeve
- Mungesë e kujdesit për veten
- Dhimbje trupi, dhimbje koke, krampe ose probleme të tretjes
- Largim nga veprimtaritë shoqërore
- Mendime rreth vdekjes ose vetëvrasjes

Simptomat e menopauzës përfshijnë:


- Cikël të çrregullt ose hemorragji, që çojnë në mungesë të ciklit për 12 muaj rresht
- Probleme me gjumin si pasojë e niveleve të ulëta të progesteronit dhe estrogjenit
- Afshe të të nxehtit dhe djersitje natën
- Probleme me kujtesën ose bëheni “harraqe” dhe keni vështirësi të përqendroheni
- Ndryshime të humorit si nervozizëm dhe shpërthime në të qara
- Ndjena depresioni ose ankthi
- Ndryshime të ndjenjave rreth shëndetit seksual
- Tharje të mukozës vaginale

Shkaqet


Simptomat e depresionit, që mund të shfaqen gjatë perimenopauzës dhe menopauzës lidhen me një shumëllojshmëri faktorësh, përfshirë ndryshimet hormonale, duke nënvizuar ndjeshmërinë e rritur ndaj depresionit dhe stresorëve të tjerë. Ndryshimet hormonale, që ndodhin në periudha të tjera të jetës riprodhuese të femrës, si psh periudha pas lindjes, lidhen gjithashtu me një rritje të simptomave të depresionit dhe të ndryshimit të humorit.

Rënia e vlerave të estrogjenit, që ndodh gjatë kalimit nga perimenopauza në menopauzë, mund të ndikojë në ndryshimet emocionale si mërzitja, nervozizmi, lodhja, vështirësi në përqendrim dhe ndryshimet e humorit. Thënë kjo, nuk ka të dhëna shkencore që menopauza shkakton depresion. Nëse simptomat janë të rënda ose ndikojnë në jetën tuaj më tepër se zakonisht, bëni të mundur që të konsultoheni me një specialist të shëndetit mendor.

Diagnoza


Mjeku juaj do të bëjë një vlerësim për të përcaktuar se në cilën fazë të kalimit në menopauzë jeni dhe do iu rekomandojë hapat e tjerë që do ndiqni për të trajtuar, nëse është e nevojshme, simptomat e menopauzës. Por, nëse simptomat e lidhura me depresionin janë të rënda ose nëse e keni patur më herët një diagnozë depresioni, hapi i radhës është vlerësimi nga një mjek specialist i shëndetit mendor. Ai do jetë i aftë që të përcaktojë nëse vuani nga çrregullimi depresiv madhor.

Trajtimi


Për femrat që janë në perimenopauzë ose menopauzë dhe diagnostikohen me depresion, do të duhej që të përcaktohej një plan trajtimi për depresionin. Kjo përfshin trajtimin me antidepresivë dhe/ose psikoterapi. Ka disa lloje psikoterapie, por njëra që është provuar të jetë e suksesshme në trajtimin e depresionit, është terapia konjitive-bihejviorale (CBT).

Ka disa të dhëna shkencore që trajtimi i femrave që hyjnë në menopauzë me terapi hormonale zëvendësuese mund të ndihmojë në rritjen e humorit, por nuk mund të shihet si një mënyrë e trajtimit të depresionit. Disa gjetje rekomandojnë estrogjenin, i cili mund të ndihmojë në pakësimin e afsheve dhe djersitjes gjatë natës, mundet gjithashtu të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të lehta në të moderuar, që lidhen me luhatjet e humorit dhe ndenjave depresive.

Përballja


Përballja me simptomat depresive, që shoqërojnë perimenopauzën ose menopauzën shpesh kërkojnë një qasje sistemike. Ndaj ashtu si për shumë rekomandime të tjera për depresionin ose menopauzën, ndryshimet e stilit të jetesës mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në cilësinë e jetës suaj.

Ushtrime fizike të përditshme, shoqërizimi me miqtë dhe familjarët tuaj, meditimi, qetësia shpirtërore dhe pjesëmarrja në veprimtari që iu sillnin kënaqësi përpara nisjes së episodit depresiv, janë disa nga mënyrat se si mund të përballeni me simptomat që lidhen me depresionin.

Pakësimi ose lënia tërësisht e alkoolit, duhanit ose substancave të tjera mund të ndihmojë me disa simptoma të menopauzës. Gjithashtu, të treguarit kujdes të posaçëm për të ndjekur një dietë të pasur në fruta, perime, proteinat thelbësore, karbohidrate komplekse dhe yndyra të shëndetshme, mund të ndihmojë në menaxhimin e këtyre simptomave.

Një fjalë nga MIA Clinic


Luhatjet e humorit dhe ndjenja e trishtimit dhe irritimit janë të shpeshta gjatë perimenopauzës dhe menopauzës. Thënë kjo, është e vështirë të bëhet diferencimi ndërmjet depresionit dhe luhatjeve të humorit si pasojë e çrregullimit hormonal.

Nëse jeni e shqetësuar për shëndetin tuaj fizik e mendor, ndërmerrni hapin e parë dhe caktoni një takim me mjekun tuaj.

Të qenit e hapur dhe e ndershme rreth ndjenjave tuaja mund t’iu ndihmojë që të lehtësoni presionin ose ankthin qe mund të jeni duke përjetuar. Po ashtu i jep mundësinë mjekut tuaj që të vendosë një diagnozë të saktë dhe të krijojë një plan trajtimi që bazohet në nevojat tuaja.