Prindërit kanë ëndrra të mëdha për fëmijët e tyre. Ndërsa mundohen të rrisin fëmijë të suksesshëm e të arrirë, mund të shkaktojnë krejt të kundërtën e asaj që kërkojnë duke shkaktuar shumë presion dhe një impakt negativ në mirëqenien e fëmijëve, e cila mbartet edhe në moshë madhore. Kini parasysh se në rritjen e një fëmije inteligjent  disa zakone prindërimi janë më konstruktive se të tjerat.

Gjëja e fundit që prindërit duhet të bëjnë është përpjekja për të rritur një gjeni. Ky qëllim mund të çojë në probleme sociale dhe emocionale. Duke qenë se përpjekja për rritjen e një gjeniu nuk është e këshillueshme, ajo çka mund të bëjmë është të mbështesim zhvillimin intelektual të fëmijëve.

Më poshtë do të gjeni 5 zakonet më të rëndësishme të prindërimit që rritin fëmijë me inteligjencë të lartë.

Janë të kujdesshëm dhe të dashur me fëmijët e tyre


Dashuria e nënës e bën një fëmijë më inteligjent. Një studim i vitit 2016 tregon se dashuria e nënës  gjatë viteve të para të jetës ndihmon në zhvillimin e hipokampit (një zonë e trurit e cila lidhet me të mësuarit, kujtesën, qëndrueshmërinë emocionale tek fëmijët). Nga ana tjetër studiuesit kanë vënë re dallime të konsiderueshme nga pamjet e skanerit që i është bërë trurit të fëmijëve, nënat e të cilëve nuk kanë qenë mbështetëse gjatë viteve të hershme të fëmijërisë.  Prandaj nëse doni të promovoni zhvillim të shëndetshëm të trurit tek fëmijët tuaj, kujdesuni t’i kushtoni vëmendje dhe dashuri që në vitet e para të jetës.

Bëj siç bëj unë


Diskutohet shpesh për kohën që duhet të harxhojnë fëmijët përpara ekranit por rezulton se edhe prindërit duhet të jenë njësoj të shqetësuar rreth kohës që harxhojnë përballë telefonit, televizorit apo kompjuterit. Zhvillimi i fëmijëve ndikohet nga kompleksiteti i marrëdhënieve sociale, siç është marrëdhënia dinamike prind-fëmijë.

Gjuha dhe komunikimi janë kyce për një evolucion të shëndetshëm të aftësive konjititve, ndaj nëse prindi është vazhdimisht i pavëmendshëm duke shpenzuar shumë kohë në telefon apo kompjuter, e kthen komunikimin prin-fëmijë në të vështirë. Nëse dëshironi t’u mësoni fëmijëve të shpenzojnë më pak kohë në rrjete sociale, për t’u angazhuar me gjëra më të vlefshme që nxisin aktivitetin intelektual, bën sens që ju të jepni shembullin të parët.

I sfidojnë fëmijët herë pas here


Në një studim të dedikuar fëmijëve shumë të talentuar, theksohet jo vetëm rëndësia e identifikimit të tipareve të inteligjencës së lartë në vitet e para të jetës por edhe rritja e fëmijës në një mjedis, ku të ketë mundësi të zhvillojë potencialin e tij. Sipas studimit, dhënia e sfidave fëmijëve që shfaqin aftësi intelektuale mund të ketë një efekt pozitiv në suksesin e tyre më vonë në jetë.  Ndaj, nëse fëmijët tuaj janë të etur për të mësuar më shumë dhe pak të mërzitur në klasë, inkurajimi për të provuar aftësitë e tyre në një material akademik më të avancuar, mund t’i ndihmojë të lulëzojnë.

Lexojnë libra me ta


Dëshironi të zhvilloni më shumë fëmijën tuaj? Lexojini libra që në vegjëli. Një studim i vitit 2017 doli në përfundimin se duke u lexuar libra fëmijëve në fëmijërinë e hershme mund t’i ndihmojë në zhvillimin e fjalorit dhe përmirësimin e aftësisë për të lexuar mirë në shkollë fillore. Fëmijët që ishin pjesë e këtij studimi ishin midis moshës 6 mujore dhe 4 vjeç e gjysmë, pra nuk është kurrë shumë herët për t`ju lexuar. Kanë rëndësi sasia dhe cilësia, ndaj është e rëndësishme të praktikoheni shpesh dhe të nxisni diskutime të frytshme rreth librave (kjo ishte mënyra se si u vlerësua cilësia e leximit në studim).

Nxisin mendimin kritik


Mendimi kritik është një aftësi konjitive vendimtare që mund të përgatisë fëmijët të përballet me sfida të vërteta dhe komplekse të jetës së përditshme, që nuk mund të mësohen në shkollë. Prindërit që duan të rrisin fëmijë inteligjent mund të nxisin mendimin kritik në moshë të hershme duke u bërë pyetje dhe duke i inkurajuar fëmijët të pyesin. Për më shumë mbi nxitjen e mendimit kritik te fëmijët, ndiqni Brian Oshiro në një TED talk. Shkoni përtej pyetjeve `çfarë` dhe `si`, nxiteni fëmijën të mendoj për `pse-në`. Inkurajojeni të kuptojë vetë perspektiva të ndryshme dhe bëjini pyetje se si mund të zgjidhë probleme të ndryshme.