Mësoni se si të zbusni zërin rebel/kundërshtues të trurit tuaj

Një nga gjërat e para që një fëmijë mëson të thotë dhe të kuptojë është fjala “jo”.

Fëmijëve u thuhet që të mos luajnë me top nëpër shtëpi, por ata përsëri e bëjnë. Adoleshentët rrotullojnë sytë kur u kërkohet që të vendosin rripin e sigurimit, e kur asnjë nuk po shikon, ata e heqin. Të rriturit inatosen dhe kalojnë në mbrojtje kur u thuhet që të hanë perime e të bëjnë ushtrime, e më pas nuk e pranojnë.

Si pjesë e natyrës njerëzore, ne dëshirojmë shumë pavarësinë dhe autonominë. Duam që gjithmonë t`i vendosim vet rregullat. Që të vegjël priremi që të mos pëlqejmë që dikush të na thotë se çfarë duhet të bëjmë, ndaj dhe ne thjesht nuk e bëjmë ose debatojmë.

Ndonëse ideja për të kundërshtuar autoritetet ose rregullat nuk është diçka e re, pandemia e koronavirusit i ka dhënë asaj një kthese tjetër. Po na thuhet që të mbajmë maskën, të ruajmë distancën fizike dhe të qëndrojmë në shtëpi.

Kjo pandemi ka qenë e vështirë për të gjithë, por edhe më e vështirë është për zërin e brendshëm rebel, i cili nuk e duron dot që t’i thuhet se çfarë duhet të bëjë. Por, si ta zbusim nevojën tonë për kryengritje, veçanërisht kur kemi të bëjmë me sigurinë tonë?

Dallo dhe njih reagimin tënd


Asnjërit nuk i pëlqen që t’i thuhet se çfarë duhet të bëjë. Qëndresa është e rrënjosur në kulturën dhe trurin tonë që në moshë të re. Të gjithë kemi një lloj zëri të brendshëm kundërshtues që i pëlqen të ngrejë pikëpyetje ose të bëjë të kundërtën e asaj që i thuhet.

Ekspertët e quajnë këtë ndjesi ose nevojë për të kundërshtuar reagim psikologjik. Ky është reagimi i trurit tuaj kur ndjeni një rrezik ndaj lirisë ose mendoni se zgjedhjet tuaja janë të kufizuara. Kjo përgjigje bën që të ndiheni të bezdisur, të stresuar dhe të inatosur kur vendosen rregulla ose udhëzues. Kjo mund t’ju çojë që të bëni të kundërtën e asaj që ju thuhet ose kërkohet, edhe atëherë kur mund të bëhet fjalë për sigurinë tuaj. Në disa rrethana, kur reagimi ynë psikologjik është i tepruar, mund të çojë në sherre, probleme në marrëdhënie me të tjerët, si dhe probleme të tjera.

Disa njerëz kanë një tolerancë dhe kuptueshmëri më të mirë ndaj reagimit psikologjik të trurit të tyre. Kur ata kanë një reagim negativ dhe mendojnë se liria e tyre është në rrezik, kanë mësuar që të bëjnë një hap pas, të qetësohen për një çast dhe të përcaktojnë se çfarë është vërtet e rëndësishme në atë situatë. Megjithatë, ka persona të tjerë që nuk kanë punuar ndonjëherë me ngërçet që vijnë nga reagimi psikologjik. Në vend të kësaj, ata marrin vendime bazuar në egon e tyre dhe emocionet e forta, gjë që shpesh çon në vetë-sabotazh dhe sjellje jo të sigurta.

Ndoshta mund të nervozoheni kur bashkëshortja ju kërkon që të lani enët, ndonëse e kishit në plan ta bënit, ndaj dhe më pas nis sherri. Ose ndoshta, shefi juaj ju kërkon që të ndryshoni pozicionin e punës dhe të kaloni në një projekt tjetër, gjë e cila ju zemëron, ndaj dhe nuk e pranoni ose filloni të shfaqni sjellje pasive-agresive. Ose ndoshta, udhëzuesi për të mbajtur maskë gjatë pandemisë ju zemëron dhe ju bën që ta kundërshtoni e të mos e pranoni.

Reagimi psikologjik mund të shfaqet në forma të lehta ose të rënda. Mund të reflektoni rreth emocioneve dhe reagimeve tuaja kundrejt llojeve të ndryshme të rregullave dhe autoritetit përgjatë ditës. Si reagoni kur duket sikur liria juaj po kërcënohet ose kur zgjedhjet tuaja janë të kufizuara? A është egoja juaj që vendos apo mund të punoni me ndjenjat tuaja që të kuptoni se pse ju kërkohet që të bëni diçka?

Si të rritur, është e rëndësishme që të njohim dhe të dallojmë kur vetja jonë rebele/kundërshtuese po vepron në një mënyrë që nuk është në interesin tonë më të mirë ose madje mund të na dëmtojë ne dhe të tjerët rreth nesh. Kur ndjejmë një forcë të madhe për të bërë qëndresë, jemi zakonisht ne që po mundohemi të mbrojmë egon tone, sepse nuk duam që të dukemi të dobët e të cenueshëm.

Mësoni se si të zbusni zërin e brendshëm kundërshtues


Stërvitja e trurit dhe menaxhimi i emocioneve kërkon praktikë dhe disiplinë. E gjitha ka të bëjë me trajnimin e zërit tuaj të brendshëm që të punojë për ju dhe jo kundër jush. Në vend që të jetoni nga egoja juaj, mësoni që të bëni atë që është më e mira për ju dhe ata rreth jush, edhe atëherë kur mund të mos jetë e volitshme, por është gjëja e duhur për t’u bërë.

Ndaj kur bashkëshortja juaj ju kërkon që të lani enët, pyesni veten nëse egoja juaj është arsyeja pse ndiheni i shqetësuar. Sigurisht që për diçka kaq të vogël nuk ia vlen të nisësh një sherr. Debati në këtë rast do të dëmtonte marrëdhënien tuaj, veçanërisht nëse kjo gjë ndodh vazhdimisht në trajta të ndryshme. E njëjta gjë vlen edhe në punë kur dikush ju kërkon që të bëni diçka. Kur i jepni përparësi egos suaj, atëherë po i hyni një rruge që do ju çojë në sabotimin e punës dhe marrëdhënies me shefin ose bashkëpunëtorët e tjerë.

Gjithashtu është përgjegjësia juaj si pjesëtar i familjes, punës dhe komunitetit që të merrni vendime që mbrojnë ju dhe të tjerët përreth jush.


Mund të keni të drejtë që të pini alkool. Por gjithashtu keni përgjegjësi për sigurinë e atyre rreth jush që të mos pini dhe t’i jepni makinës. Kur vjen puna te pandemia nga koronavirusi, keni përgjegjësinë që të mbroni të tjerët rreth jush duke mbajtur maskën, duke qëndruar në shtëpi kur jeni sëmurë dhe duke ruajtur distancën fizike.

Merrni parasysh se çfarë është më e rëndësishme – dëshira për pavarësi dhe nevoja për të kënaqur egon tuaj apo mirëqenia e njerëzve të dashur?


Kur filloni të ndiheni të kërcënuar nga dikush që ju kërkon të bëni diçka, vëzhgoni fillimisht emocionet tuaja. Vetëm sepse ndjeni ose mendoni diçka, s’do të thotë që ajo është e vërtetë. Të mësuarit se si të zbusni zërin e brendshëm rebel ka të bëjë me riorganizimin/përshtatjen e mendimeve tuaja rezistente/të qëndresës. 

Mund të duket e mërzitshme që të shmangësh një sherr me bashkëshorten ose me shefin, por do të jeni më mirë kështu se sa po të kishit dëmtuar marrëdhënien tuaj. Mund të jetë e bezdisshme që të vendosni kremin e diellit, por do të jeni të kënaqur që e bëtë sepse nuk do të keni djegie nga dielli. Mund të duket e papërshtatshme dhe jo e rehatshme që të mbash maskën, por ndoshta e njëjta gjë ka qenë edhe për rripin e sigurimit, mbajtjen e kokores kur i jepni biçikletës ose motorit ose kryerja e ushtrimeve fizike – deri në çastin kur vutë re përfitimet.


Si të mos lejojmë që frika nga koronavirusi të ndikojë në shëndetin mendor