Në Nëntor të 2017-ës, 2 kirurgë okulistë të një spitali në Beirut raportuan një rast interesant të humbjes së shikimit të një kolegut të tyre. Mjeku i specializuar për dëmtimet e retinës, papritur pati një turbullim të shikimit në njërin prej syve vetëm një ditë a dy pas përfundimit të një dite shumë stresuese në sallën e operacionit. Kjo nuk ishte hera e parë që i ndodhte. Kirurgu e kishte përjetuar këtë gjë rreth katër herë brenda një viti, secili prej episodeve paraprihej nga ditë shumë stresuese në sallën e operacionit.

Kirurgu okulist ishte diagnostikuar me korioretinopati seroze centrale (CSCR). Një sasi e vogël lëngu ishte grumbulluar nën një hapësirë të vogël të retinës së kirurgut, duke shkaktuar kështu një shkëputje të përkohshme të saj. Kjo gjendje kaloi pas disa javësh dhe një plan i rreptë i menaxhimit të stresit bëri të mundur parandalimin e një episodi të mundshëm në të ardhmen.

Përshkruar për herë të parë në 1866-ën, CSCR-ja shpesh është lidhur me stresin që prej Luftës së Dytë Botërore, kur u raportuan disa raste të personelit të ushtrisë. Edhe pse studimet e mëvonshme e kanë lidhur CSCR me mekanizma të lidhur me stresin, shpesh ajo etiketohet si “idiopatike” (pa ndonjë shkak të njohur) nëse nuk gjendet asnjë shkak tjetër veç stresit që ta nxisë. Që pas kongresit, kirurgët e etiketuan gjendjen si “CSCR e sallës së operacionit”, duke dalluar kështu stresin si shkakun e saj.

Duke reflektuar mbi atë që mund ta kishte bërë kolegun e tyre më të ndjeshëm ndaj stresit, kirurgët vunë në dukje se teknikat e reja kirurgjikale, të mundësuara nga përmirësimi i teknologjisë, kanë zgjeruar kufijtë fizikë të asaj që një kirurg mund të bëjë. Ndërkohë që ky progres ka zgjeruar synimet e kirurgjisë, të operuarit në këto limite ka ushtruar shumë presion në shëndetin mendor të kirurgëve.

Në 1959-ën, eksperti i menaxhimit Peter Drucker parashikoi që një tranzicion dramatik në mënyrën e të punuarit, që do të ndodhte pas 50 vitesh. Ai madje krijoi një term për këtë lloj të ri pune, “punë mendore” dhe shtoi se ndryshimi do të përfshinte zhvendosjen nga puna fizike në punë mendore. Ai më pas shkroi se qendra e gravitetit të punës do të zhvendosej drejt “njeriut që fut në punë atë që ka në kokë, në vend të aftësive që zotërojnë duart e tij”.

Evolucioni i kirurgjisë së syrit ka vërtetuar disa nga parashikimet e Drucker-it. Me përparimin e teknologjisë, aftësitë fizike të duarve të kirurgut shndërrohen në aftësitë mendore të analizimit dhe përqëndrimit.

“Natyra evolutive e punës kërkon më pak punë fizike dhe më shumë punë mendore – që do të thotë se mendja gjithmonë e më shpesh po shndërrohet në viktimë të rreziqeve në punë.”


Salla e operimit të një kirurgu të syrit sot është në një farë mënyre si një mikrokozmos i botës së sotme të punës, ku natyra evolutive e punës kërkon gjithmonë e më pak nga trupi dhe më shumë nga mëndja. Rrjedhimisht, mëndja po bëhet viktimë e rreziqeve të punës.

János Hugo Bruno "Hans" Selye, një mjek hungaro-kanadez, krijoi për herë të parë përkufizimin për “stresin” në vitet 1930. Ai e huazoi fjalën nga fizikanti anglez shekullit të 17-të, Robert Hooke, ligji i të cilit në 1658 përshkruan marrëdhënien ndërmjet stresit fizik të ushtruar mbi një material dhe pasojat e tij, tendosjen. Thuhet se Selye u pendua që përdori fjalën “stres” në vend të fjalës “tendosje”, gjë që i la stresit një trashëgimi paqartësie.

Studimet që nga koha e Selye kanë zbuluar se reagimi ndaj stresit akut (të menjëhershëm) bazohet në një sërë procesesh. Ne e dimë se njerëzit që hidhen me litar nga lartësitë (bungee jumpers) bëhen rezistentë ndaj insulinës menjëherë pas hedhjes, si dhe stresi i të dhënit mësim përpara 200 studentëve rrit markuesit e inflamacionit te profesorët e universiteteve. Këto procese japin mundësinë e mbijetesës kur ndodhemi para një kërcënimi. Rezistenca e përkohshme ndaj insulinës, për shembull, bën të mundur që sheqeri të shkojë në tru kur ndodhemi të rrezikuar, ndërkohë që inflamacioni siguron një mburojë mbrojtëse kundrejt vizitorëve të padëshiruar që kërkojnë të hyjnë përmes plagëve të betejës.

Ndikimet e një reagimi të menjëhershëm, të shëndetshëm ndaj stresit janë të përkohshme dhe bien sapo përvoja stresuese mbaron dhe çdo ndikim që ngelet më pas mundet që ndonjëherë të na ketë bërë më të mirë se më parë. Studimet te minjtë, për shembull, gjetën se stresi ndaj të qenit i kufizuar për disa orë mund të rrisë numrin e qelizave të reja të trurit në disa pjesë të trurit të miut, gjë që mund të pasohet më një performancë më të mirë në disa lloje të testimeve për kujtesën.

Megjithatë, stresi, që është shumë i shpeshtë, shumë i fuqishëm dhe vazhdimisht i pranishëm, na vë para një tendosjeje, sforcoje të zgjatur. Shumë nga faktorët që marrin pjesë në përgjigjen ndaj stesit kanë të ashtuquajturën “kurba jo lineare dozë-veprimi pasues”, që do të thotë se ndikimet e tyre ndryshojnë drejtim pas një veprimtarie të zgjatur. Si pasojë, stresi kronik shkakton një ndryshim të ngadaltë, të qëndrueshëm në parametrat psikologjikë dhe fiziologjikë, i cili ngjit shkallët drejt një çrregullimi përgjatë rrugëve të ndryshme.

Degët parasimpatike dhe simpatike të sistemit nervor autonom – një rrjet nervash që kontrollojnë proceset e pavullnetshme, si presioni i gjakut, frymëmarrja dhe tretja – luajnë një rol kryesor në orkestrimin e përgjigjes ndaj stresit akut. Përgjatë kohëve të frikës ose zemërimit, veprimtaria simpatike (përgjegjëse për përgjigjen “lufto ose vrapo”) përkohësisht rritet dhe veprimtaria parasimpatike (përgjegjëse për përgjigjen “qetësohu dhe përtyp”) ulet. Megjithatë, nëse këto modele të veprimtarisë janë të pranishme në mungesë të stresit, mund të na çojnë drejt hipertensionit dhe sëmundjeve të tjera. Në mënyrë të ngjashme, ndërkohë që reagimi emocional i përkohshëm ndaj stresit akut ndihmon në parashikimin e rrezikut, një ndryshim i qëndrueshëm në mekanimzat rregullatorë të emocioneve mund të na çojë drejt çrregullimeve të humorit.

Ndryshimet strukturore


Stresi kronik dyshohet se luan një rol të rëndësishëm në hipertension dhe diabetit tip 2. Vëzhgimet e bëra te studimet te kafshët dhe studimet e reja te njerëzit tregojnë se stresi kronik mund të ndryshojë strukturën e trurit.

Në studimin e parë të këtij lloji, Ivanka Savic dhe koleget e saj të Institutit Karolinka të Suedisë, në Universitetin e Stokholmit, së fundmi krahasuan trurin e njerëzve që vuanin nga stresi kronik i lidhur me punën me trurin e atyre që ishin të shëndetshëm dhe më pak të stresuar duke përdorur teknikat imazherike të studimit të strukturave përmes rezonancës magnetike. Ata gjetën ndryshime në regjionet aktive përgjegjëse për vëmendjen, marrjen e vendimeve, kujtesën dhe procesimin e emocioneve. Në subjektet e stresuar, korteksi prefrontal paraqitej më i hollë, amigdala paraqitej më e trashë dhe nukleuset kaudatë më të vegjël. Hollimi i korteksit prefrontal lidhet me përkeqësimin e rregullimit të emocioneve.

Për të përcaktuar nëse stresi ishte thjesht i lidhur me ndryshimet apo i kishte shkaktuar ai këto ndryshime te njerëzit e stresuar, studiuesit skanuan trurin e tyre përsëri pas një programi tre mujor të rehabilitimit ndaj stresit, bazuar në terapinë konjitive-bihejviorale dhe ushtrimet e frymëmarrjes. Hollimi i korteksit prefrontal kishte ndryshuar, ishte zhbërë. Ky rikthim në gjendjen e mëparshme la të kuptohet se ndoshta stresi kronik e kishte shkaktuar hollimin. Studime të tjera kanë gjetur se vlera të larta në qarkullim të hormonit të kortizolit mund të përkeqësojnë kujtesën dhe të shkaktojnë hollim të trurit në disa pjesë, madje edhe në moshat e reja.

Këto ndryshime mund të jenë pjesërisht pasojë e plasticitetit të trurit tonë, një shfaqje e talentit të jashtëzakonshëm të trurit për t’u përshtatur me çfarëdo kërkese ndaj tij.

Stresi kronik mund të godasë përmes një rruge psikosociale dhe ndikohet nga perceptimi.


Një shembull i kësaj është “ripërtypja e mendimeve”, të menduarit e thelluar kundrejt diçkaje. Risjellja në kujtesë e një përvoje stresuese pasi ajo ka përfunduar mund të aktivizojë rrugë të ngjashme në tru si ato gjatë përjetimit të vetë përvojës. Kjo mund ta mbajë reagimin ndaj stresit “të ndezur” ndonëse faktori stresues nuk është më i pranishëm dhe mund të bëjë që përvoja të perceptohet shumë më tepër stresuese nga çfarë është në të vërtetë. Duke penguar njerëzit që të ripërtypin mendimet do të çojë në uljen e presionit të gjakut më shpejt pas stresit akut.

Stresi kronik ka qenë i lidhur me hipertensionin edhe në një studim të vogël nga disa studiues amerikanë të Universitetit të Kolumbias, të cilët përdorën trajnimin për menaxhimin e stresit (bazuar në terapinë konjitive-bihejviorale ) për të ulur në mënyrë sa më efikase presionin e gjakut te ata me hipertension. Ulja e presionit të gjakut lidhej me uljen e mendimeve negative, me natyrë depressive.

Perceptimi i ndryshëm i elementëve të stresit mund të jetë arsyeja se pse disa ndërhyrje si joga, teknikat e frymëmarrjes dhe meditimi i përqendruar te vëmendja mund të bëjnë që disa njerëz të përfitojnë nga menaxhimi i stresit përmes ndikimeve të tyre në përmirësimin e rregullimit emocional, duke pakësuar reagueshmërinë ndaj stresit dhe përshpejtuar shërimin pas stresit. Gjithashtu mund të shpjegojë se pse disa teknika si meditimi mund të shtojë më tepër ripërtypjen e mendimeve dhe përsëritjen e mendimeve negative në disa njerëz dhe në disa të tjerë jo. Stresi i perceptuar mund të ndryshojë në varësi të faktorëve gjenetikë dhe epigjenetikë, karakteristikat vetjake të personit, modeleve të të menduarit dhe sjelljes dhe përvojave jetësore të tij.

Natyra evolutive e punës kërkon më pak punë nga trupi dhe më shumë nga mëndja


Në një ekspozitë në vitin 2015, në Paris, artisti belg Thomas Lerooy paraqiti një metaforë vizuale të perceptimit të stresit mendor, të quajtur “Jo mjaftueshëm tru për të mbijetuar”. Skulptura e bronxit përshkruan një trup të bukur, i cili peshon poshtë nga një kokë e zmadhuar në mënyrë groteske, por e trishtuar.

Jo mjaftueshem tru per te mbijetuar


Ndryshe nga vepra e Lerooy-it, koka e njeriut nuk zmadhohet dhe të bjerë përtokë ndërkohë që stresi e rëndon më tepër atë. Lodhja mendore pas një procedure të ndërlikuar oftalmike është e padukshme. Kirurgu as nuk merr frymë me vështirësi dhe as djersin. Piktura e rraskapitjes mendore është tërësisht abstrakte krahasuar me shenjat e njohura të rraskapitjes fizike.

Sforcoja (tendosja) mendore është një faktor që kufizon performancën në një epokë kur ngarkesa fizike gjithmonë e më shumë po shndërrohet në ngarkesë mendore. Ndërkohë që po zhvendosemi më tej drejt epokës së informacionit, është koha që të panjohurat rreth stresit kronik të zhvendosen në qendër të vëmendjes.


8 shenja të stresit te fëmijët - kur të kërkoni ndihmë profesionale

I inatosur gjatë gjithë kohës? Problemi yt mund të jetë depresioni.



7 simptoma fizike që vërtetojnë se depresioni nuk është thjesht ‘në kokën tuaj’