Shpesh duket sikur s’kemi mjaftueshëm orë në ditë. Sapo fikim alarmin në mëngjes, na duket sikur jemi vazhdimisht në nxitim për të arritur të bëjmë gjërat tona para se dita të mbarojë. Kemi afate për të përmbushur, takime për të organizuar, email-e për t’u përgjigjur e shumë të tjera. Pavarësisht përpjekjeve tona për të qenë të organizuar dhe të përgjegjshëm, ndonjëherë gjërat mund të na rrëshqasin nga duart.

Disa arsye pse ne nuk kemi kurrë mjaftueshëm kohë janë të qarta. Në përpjekje për të bërë përshtypje të mirë te shefat tanë apo për të mbajtur një standard të lartë jetese, ne mund të marrim përsipër shumë punë dhe të stërmundojmë veten.

Gjithashtu, priremi që të nënvlerësojmë ngarkesën e punës, si pasojë e një fenomeni të quajtur “gabimi i planifikimit”, një lloj gabimi konjitiv (i aftësisë njohëse), gjatë të cilit ne dështojmë që të parashikojmë saktë se sa kohë na duhet për të përmbushur një detyrë.

Arsyeja pse ne ndihemi nën presion për kohën varet edhe nga një sërë faktorësh psikologjikë. Kuptimi ynë për kohën është subjektiv dhe bazohet në një sërë faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm.

Kështu, një pjesë e madhe e ndjesisë sonë që ka lidhje me presionin për kohën varet nga reagimi ynë emocional kundrejt gjërave që po bëjmë. Nëse bëjmë diçka që na pëlqen, do të ndihemi më të stimuluar, cka e bën dhe punën të rrjedh më natyrshëm, ndryshe ndodh kur bëjmë detyra dhe punë nga të cilat nuk marrim shumë kënaqësi.

Nëse ndihemi se s`kemi më kohë për asgjë, kjo varet gjithashtu edhe nga sa gjëra jemi duke bërë gjatë ditës – dhe nëse po mundohemi që të kryejmë shumë detyra njëkohësisht. Po ashtu varet edhe sa të aftë jemi për të kaluar nga njëra detyrë në tjetrën, sa gjëra mendojmë se mund të arrijmë gjatë ditës dhe se sa të zotë jemi në dhënien përparësi të gjërave.

Nëse e mendojmë çdo gjë është si “të domosdoshme” dhe se duhet të bëjmë çdo gjë në mënyrë “të përkryer”, atëherë me shumë mundësi do të ndihemi më shumë nën presionin e kohës dhe këto pritshmëri jo realiste do të çojnë drejt përjetimit të një periudhe stresuese. Pa dyshim që, do të jemi më të stresuar nëse kemi një listë amorfe të gjërave që duhet të bëjmë në kokën tonë, në vend që t’i kemi ato të shkruara në letër dhe të kemi një listë me gjërat që do na duhet të bëjmë dhe kur duhen t’i bëjmë. E gjithë kjo mund të na mbingarkojë dhe mund të ndihemi sikur nuk kemi kohë mjaftueshëm.

Nëse e ndjejmë më shumë presionin e kohës varet gjithashtu edhe nga personaliteti e veçoritë individuale. Koha përfundimisht është relative. Ajo cka është e sigurt është se koha ndikon te ne në mënyra të ndryshme. Sfida më e madhe mbetet menaxhimi i kohës: përzgjedhja e prioriteteve, menaxhimi i presionit dhe humbja e kohës me gjëra që nuk kanë prioritet.

Optimistët, të cilët janë gjithmonë pozitivë, priren të nënvlerësojnë se sa shumë kohë është e domosdoshme ose se sa shumë mund të zgjasë një detyrë. Ata shpesh marrin më tepër përgjegjësi seç munden dhe vendosin veten nën presion duke qenë se duhet të merren me shumë detyra sfiduese në të njëjtën kohë.

Ndërkohë, të tjerë mund të ndihen ankthioz dhe të tregohen të kujdesshëm për sasinë e kohës që marrin për të kryer një detyrë. Kjo nënkupton që ata mund ta zmadhojnë së tepërmi sasinë ose shkallën e vështirësisë së një detyre në kokën e tyre – në një farë pike që e kanë të vështirë qoftë edhe për ta nisur atë.

Perfeksionistët, në anën tjetër, përfshihen më tepër seç duhet në diçka. Ata arrijnë të shohin 50 gjëra të tjera që askush nuk i vë re, aq sa ata përfundojnë duke bërë vetëm gjysmën e asaj që do duhet të bënin. Pastaj mos të harrojmë që janë edhe ata, për të cilët nuk ka një term për t`i quajtur, njerëzit që ia dalin mbanë mirë nën presion dhe ndaj i lënë të gjitha gjërat në minutën e fundit.

Të gjitha këto veçori individuale çojnë në lënien e një sërë detyrash pa i kryer për një kohë të gjatë, gjë që në mënyrë të pashmangshme krijon presion përgjatë rrugës. Zgjidhja do të ishte që ta shihnim kohën si një gjë fikse, në vend që ta mendojmë si diçka të ndryshueshme dhe që varet nga sa presion ne përjetojmë. Pa emocionin – ose frikën – që ia bashkëngjisim, koha bëhet një produkt fiks, i pandryshueshëm, ku një orë mbetet gjithmonë një orë.

Megjithatë, të përjetuarit e presionit për kohën mund të mos jetë në dorën tonë. Shpesh, ka më tepër punë për të bërë se sa një person mund të bëjë në një ditë të zakonshme pune, gjë e cila çon në rritje të presionit për mungesën e kohës. Të qenit “gjithmonë i gatshëm” -  t’u përgjigjesh email-eve natën vonë, t’u kthesh përgjigje mesazheve të shefit – mund ta bëjnë edhe më të vështirë organizimin e kohës.

Një mënyrë për të mos ndjerë presionin e vazhdueshëm të kohës është të fillojmë tëë vendosim prioritete. Mendoni se sa kohë mund t`ju marrë një detyrë, duke përfshirë edhe pushimet ndërmjet. Duhet të kuptojmë se çfarë detyrash janë kritike, cfarë mund të lihet për një moment të dytë dhe çfarë duhet bërë në mënyrë të përkryer.

Por, në fund të ditës, gjithmonë do të kemi më shumë gjëra për të bërë. Por, është edhe më e rëndësishme të kujdeseni për mendjen tuaj dhe largoni stresin mbytës për gjërat që kanë ngelur pa bërë.


Shëndet i mirë mendor nuk do të thotë të jesh i lumtur gjithë kohën