Xanaxi (alprazolami) është një mjekim i zakonshëm kundër ankthit (anksiolotik). Mjekët e përshkruajnë atë për pacientët që kanë probleme me pagjumësinë dhe probleme të tjera të shëndetit mendor, si shqetësim i tepruar, atakët e panikut dhe PTSD-në.

Xanaxi sjell shumë të mira për njerëzit që vuajnë nga një stres i menjëhershëm (akut), por nuk ka si qëllim përdorimin për një kohë të gjatë. Përdorimi për një periudhë afatgjatë i benzodiazepinave, si xanaxi, mundet të krijojë probleme me varësinë dhe zvjerdhjen (heqjen dorë prej tij).

Një përmbledhje


Heqja dorë nga xanaxi nuk është aq e thjeshtë sa e mendojnë njerëzit. Megjithatë, kjo është në varësi të dozës dhe se sa shpesh e keni përdorur atë, përvoja juaj e zvjerdhjes mund të ndryshojë nga një ndjesi parehatie deri në një gjendje vërtet të papëlqyeshme.

Mundet gjithashtu të kthehet edhe në një gjendje serioze mjekësore. Nëse e keni qenë duke e përdorur xanaxin disa herë në ditë, atëherë heqja dorë prej tij kërkon kohë, durim dhe vendosmëri.

E vetmja mënyrë e sigurt për të hequr dorë është ta ulësh dozën gradualisht nën udhëzimin e një mjeku.

Heqja dorë në mënyrë të menjëhershme mund të shkaktojë simptoma më të rënda dhe tepër të rrezikshme të zvjerdhjes, përfshirë deliriumin dhe konvulsione të gjeneralizuara grand mal.


Ky është një rrezik që nuk është mirë ta merrni përsipër. Deliriumi është një gjendje që përfshin përkohësisht, ndryshime të papritura të aftësive njohëse (konjicionit) dhe sjelljes, që karakterizohen nga axhitimi dhe çorientimi. Një konvulison i gjeneralizuar grand mal (të njohura ndryshe edhe si konvulsione toniko-klonike) përfshin kontraktime të dhunshme të muskujve dhe humbje të vetëdijes.

Xanaxi nuk diskriminon. Kushdo që ka marrë më shumë seç duhet, për disa javë do të zhvillojë varësi biologjike. Nëse krijoni varësi fiziologjike prej barit, mund të përjetoni simptomat e zvjerdhjes kur ta lini ose të ulni dozën.


Ndërkohë që jeni duke ulur dozën, mund të përjetoni ankth dhe axhitim. Njerëzit përjetojnë shkallë të ndryshme të shqetësimit fizik dhe mendor. Për shembull, mund të përjetoni ndjesi të pazakonta, sikur diçka po zvarritet në lëkurën tuaj, shoqëruar me ndjesinë e parehatisë dhe irritimit.

Shenjat dhe simptomat


Shenjat dhe simptomat e zvjerdhjes nga xanaxi ndryshojnë pak nga një njeri te tjetri. Studimet tregojnë se pothuaj 40% e njerëzve që përdorin benzodiazepinat për më shumë se gjashtë muaj do të përjetojnë simptoma mesatare ose të rënda të zvjerdhjes. Pjesa e mbetur prej 60% mund të përjetojë simptoma të lehta.

Shumica e njerëzve që heqin dorë nga xanaxi mund të përjetojnë një rritje për një kohë të shkurtër të ankthit. Në varësi të rëndesës së simptomave, mund të përjetoni përkeqësim të ankthit krahasuar me përiudhën përpara trajtimit. Është e zakonshme që të ndiheni nervoz, i shqetësuar dhe i paduruar përgjatë uljes së mjekimit.

Përvoja e zvjerdhjes


Shumë njerëz përjetojnë nervozizëm dhe axhitim, që mund të sjelli probleme në shtëpi, punë ose shkollë. Ju mund të mërziteni lehtësisht ose të nxeheni menjëherë me familjarët ose miqtë. Mund të përjetoni rënie të humori ose depresion.

Pagjumësia është një tjetër simptomë e zakonshme e heqjes dorë nga xanaxi. Pagjumësia mund të jetë si pasojë e varësisë biologjike dhe asaj mendore dhe mund të shkaktojë ankth dhe axhitim.

Simptomat mund të shkojnë e të vijnë përgjatë uljes së dozës së xanaxit. Në njëfarë pike, mund të përjetoni simptoma fizike, si dhimbje koke, dhimbje muskujsh ose dridhje të duarve.

Simptomat e mundshme të zvjerdhjes


Fizike


- Pagjumësi
- Dridhje (tremor)
- Spazma muskulore
- Dhimbje koke  
- Djersitje
- Puls të shpejtë
- Hiperventilim
- Konvulsione

Psikologjike


- Ankth
- Depresion
- Parehati
- Vështirësi në përqendrim
- Delirium
- Halucinacione
- Ndjesi të humbjes së realitetit
- Atak paniku



Simptomat e zvjerdhjes nga xanaxi zakonisht shfaqen pas rreth 8 deri 12 orëve nga marrja e dozës së fundit. Nëse dështoni në uljen e dozës, atëherë simptomat e zvjerdhjes do të vazhdojnë të shtojnë intensitetin e tyre. Zvjerdhja përkeqësohet më shumë zakonisht në ditën e dytë dhe përmirësohet në ditën e katërt ose të pestë; megjithatë, simptomat akute mund të zgjasin shumë më tepër.



Përballja dhe lehtësimi


Mënyra më e mirë për të shmangur një shkëputje të vështirë është ulja graduale dozës së xanaxit përgjatë disa javëve. Nuk këshillohet që të ulni dozën e mjekimit pa udhëzimet dhe këshillat e mjekut që ua ka përshkruar atë.

Xanaxi është një bar me veprim të shkurtër, që do të thotë se trupi ynë e metabolizon shpejt atë. Ulja graduale e dozës së xanaxit është sfiduese sepse sasia e barit në trupin tuaj ulet e ngrihet. Për të ndihmuar në shmangien e këtyre uljeve dhe ngritjeve, mjeku shpesh e ndërron mjekimin nga Xanax me një benzodiazepinë me veprim të gjatë, si diazepami.

Kalimi nga xanaxi me veprim të shkurtër te “kushëriri” i tij me veprim të gjatë, diazepami, do e bëjë më të lehtë për ju që të hiqni dorë prej tij. Sapo të arrini në dozë të qëndrueshme të diazepamit, mjeku do ju ndihmojë që ngadalë ta ulni atë me kalimin e kohës. Kjo i jep trupit dhe trurit tuaj kohën e nevojshme për t’iu përshtatur jetës pa Xanax.

Nëse shfaqni shenja të zvjerdhjes papritur, ndërkohë që doza është duke u ulur, mjeku mund të ndalojë ose të zgjasë më shumë periudhën e uljes së dozës. Mbetet në dorën tuaj dhe të mjekut tuaj që të gjeni mënyrën më të mirë për të ulur dozën gradualisht në varësi të nevojave tuaja.

Si të lehtësojmë simptomat e zvjerdhjes së menjëhershme


- Të përdorim bimë mjëkësore për gjumin (bimë valeriana, kamomili)
- Terapia konjitive-bihejviorale - CBT (studimet janë të dyzuara për sa i përket efektshmërisë së CBT pas tre muajsh)
- Yoga
- Të praktikojmë meditimin
- Ushtrimet fizike
- Përdorimi i melatoninës

Kujdes!


Konvulsionet mund të ndodhin në njerëz të cilët po e kalojnë peiudhën e zvjerdhjes pa trajtim. Ndryshe nga sindromi i zvjerdhjes nga substanca të tjera, zvjerdhja nga benzodiazepinat mund të komplikohet dhe ndonjëherë mund të jetë edhe jetë kërcënuese.

Nëse në të kaluarën jeni diagnostikuar me një çrregullim mendor, si psh çrregullim i panikut, PTSD, çrregullim bipolar ose çrregullim i personalitetit kufitar (borderline), atëherë duhet patur shumë kujdes kur të jeni duke hequr xanaxin. Në të tilla raste, ndihma e mjekut tuaj është thelbësore. Bëhet e vështirë që të parashikohet se cila prej simptomave mund të rishfqet kur ne largojmë xanaxin nga ekuacioni.

Njerëzit, të cilët kanë histori të sindromit të zvjerdhjes me komplikime dhe njerëzit që kanë probleme të tjera shëndetsore do duhet që të flasin shumë shpesh me mjekun e tyre. Zvjerdhja nga xanaxi mbart në vetvete rrezikun e konvulsioneve.

Nëse po planifikoni që të mbeteni shtatzëne ose jeni shtatzëne, atëherë do duhet që të bisedoni me mjekun tuaj për mundësinë e marrjes së xanaxit dhe me mjekun obstetër mbi rreziqet dhe përfitimet që ka vazhdimi i mjekimit kundrejt ndërprerjes së benzodiazepinave.

Disa femra vazhdojnë që të përdoin benzodiazepinat edhe gjatë shtatzënisë ndërkohë që disa nisin procedurën e uljes graduale të tyre.

Nëse jeni duke marrë Xanax në mënyrë të jashtëligjshme, pa këshillën e mjekut, përsëri ju mund të drejtoheni te një mjek në mënyrë që të filloni uljen e dozës.

Trajtimi afatgjatë


Kur vjen puna te menaxhimi afatgjatë i heqjes dorë nga benzodiazepinat, ka dy drejtime që mund të merrni. Studimet tregojnë se të rriturit e shëndetshëm arrijnë një abstinencë afatgjatë pas përfundimit të procesit të lënies së xanaxit.

Çelësi për ta arritur këtë është që të ndiqni të gjithë procesin ashtu siç e rekomandon mjeku. Afër fundit të heqjes graduale ju mund të jeni duke i ndarë kokrrat në tresh ose në katërsh.

Nëse jeni gati që të hiqni dorë prej xanaxit, atëherë këtë, duhet ta bëni patjetër me ndihmën e mjekut.

Ndjeni se antidepresantët nuk po funksionojnë më? Ja çfarë mund të ketë ndodhur.


Ciklotimia: A janë ndryshimet tuaja të humorit normale - apo ka diçka më shumë?