Për fëmijët është e zakonshme të shfaqin probleme të sjelljes, si shpërthime inati e zemërimi, sjellje sfiduese, të kthejnë fjalën dhe të mos dëgjojnë. Me shumë gjasa nuk ka prind të mos jetë përballur me këto sjellje të vështira, që fëmijët mund të bëjnë, ndërkohë përgjatë rritjes ata mësojnë si të kontrollojnë impulset e tyre dhe t’u binden kufizimeve.

Por në disa raste, fëmijët mund të shfaqin sjellje, që mund të jenë pjesë e kategorisë së “sjelljeve agresive” ose siç njihen ndryshe sjellje shkatërruese. Këto sjellje, fëmijët mund t`i shfaqin në shtëpi, shkollë apo tjetërkund dhe ashtu sic thotë edhe termi, ato kanë potencial të prishin rrjedhën normale të situatave.

Shenjat e Çrregullimit të Sjelljes


Fëmijët me çrregullim të sjelljes mund të shfaqin modele të përsëritura dhe të qëndrueshme të inatit, sjelljes sfiduese, kthim të fjalës, vështirësi në menaxhimin dhe kontrollin e emocioneve të tyre, madje edhe sjellje agresive dhe armiqësore kundrejt të rriturve apo fëmijëve të tjerë. Kjo është një sjellje që mund ta shohësh në çdo fëmijë, por në rastin e fëmijëve me çrregullim të sjelljes, ato shfaqen me më shumë intensitet, janë më të shpeshta, të përsëritura dhe më të vështira për t’u kontrolluar.

Nuk është çudi që këto sjellje mund të kenë një ndikim të keq në ecurinë e fëmijës në shkollë dhe në shtëpi dhe mund të ndikojnë edhe në marrëdhënien e tij me prindërit, motrat e vëllezërit, mësuesit dhe bashkëmoshatarët.

Fëmijët, që kanë çrregullime të sjelljes zakonisht injorojnë ose abuzojnë me ndjenjat e të tjerëve qëllimisht si dhe injorojnë të drejtat e njerëzve.

Shenjat e zakonshme të çrregullimit të sjelljes përfshijnë:


- Abuzojnë me kafshët, i godasin, i dëmtojnë ato
- Agresivitet kundrejt njerëzve të tjerë (përfshirë bullizmin apo kërcënimet)
- Sulmojnë të tjerët fizikisht
- Lënë orët e mësimit
- Gënjejnë
- Nuk pranojnë të ndjekin rregullat ose limitet në shtëpi dhe në shkollë (si psh. lënia e mësimit)
- Vjedhin
- Abuzojnë me substancat
- Shkatërrojnë

Çrregullimi i sjelljes sfiduese kundërshtuese


Ka një kategori fëmijësh që mund të shfaqin sjellje, që janë më pak agresive se ato të çrregullimit të sjelljes, por që kanë një rrezik të lartë për të shfaqur vështirësi të theksuara të përshtatjes së emocioneve, duke përfshirë këtu edhe vetëvrasjen dhe abuzimin me substanca, si dhe janë më të prirur për t’u diagnostikuar me një sëmundje mendore tjetër.

Duke i ditur këto simptoma prindërit duhet të jenë alert dhe të kërkojnë ndihmë te specialisti (psikiatër për fëmijë, psikolog), ndonëse sjellja e fëmijës së tyre nuk është aq eksternalizuese.

Disa nga simptomat e çrregullimit të sjelljes sfiduese kundërshtuese që fëmijët bëjnë:

- Fajësojnë të tjerët për gabimet e tyre
- Mërzisin qëllimisht të tjerët
- Bezdisen lehtësisht nga të tjerët
- Shpesh zihen me të rriturit
- Shpesh shfaqin shpërthime të zemërimit dhe shfaqin inat
- Shpesh janë hakmarrës dhe mizorë; kërkojnë të hakmerren
- Kundërshtojnë rregullat dhe figurat autoritare – shpesh nuk pranojnë të ndjekin rregullat e vendosura nga të rriturit

Këto sjellje ndodhin në vende të ndryshime dhe mund të kenë si synim e t’u drejtohen prindërve, mësuesve, motrave e vëllezërve, shokëve të klasës ose fëmijëve të tjerë.

Si mund ta ndihmoni fëmijën tuaj?


Nëse dyshoni se fëmija juaj mund të ketë problem të sjelljes sipas përshkrimit të mësipërm, ju mund të ndërmerrni disa hapa për ta ndihmuar fëmijën tuaj, si më poshtë:

Veproni tani për të adresuar shqetësimet. Fëmijët e moshës shkollore zhvillojnë aftësi të rëndësishme akademike dhe sociale; çdo gjë që ndërhyn me aftësinë e fëmijës suaj për të mësuar, për të ndjekur udhëzimet dhe për të zënë shoqëri mund të ketë një ndikim të madh në zhvillimin e tij vetjak dhe në ecurinë e tij në shkollë.

Shikoni për praninë e mundshme të çrregullimeve të tjera. Studimet tregojnë se shumë prej fëmijëve, që janë diagnostikuar me ADHD mund të diagnostikohen edhe me çrregullim të sjelljes. Kërkoni për të gjetur diagnozën e saktë në mënyrë që të merrni edhe mjekimin e duhur për të ndihmuar fëmijën tuaj.

Mos e nënvlerësoni seriozitetin e çrregullimeve të sjelljes. Nëse fëmija juaj sillet në mënyrë agresive ose të dhunshme, merrni menjëherë masa për të mbrojtur ata që ndodhen rreth fëmijës, si dhe vetë fëmijën. Lini një takim me pediatrin e fëmijës dhe psikiatrin për fëmijë (ose një profesionist të shëndetit mendor).

Kini parasysh se ju nuk jeni vetëm dhe se ka zgjidhje për këtë problem. Ka shumë prindër që po përballen me çrregullimet e sjelljes me fëmijët e tyre kudo në botë, në çdo çast. Gjithashtu kini parasysh se ka shumë profesionistë të kualifikuar që mund ta ndihmojnë fëmijën tuaj për të gjetur një zgjidhje për sjelljet që shfaq. Trajtimi mund të përfshijë terapistë, që punojnë me prindërit dhe fëmijët për t’i ndihmuar prindërit me vendosjen e kufijve, forcimin e lidhjes prind-fëmijë dhe pakësimin e sjelljeve devijante.

Lavdëroni sjelljet pozitive. Është e thjeshtë të zhvendosësh gjithë vëmendjen te sjelljet negative, por kini kujdes që të ndërmerrni të gjithë hapat për të vënë re dhe për të lavdëruar sjelljet pozitive. Lavdërimi është një mënyrë efektive për të shtuar sjelljet e mira dhe për të inkurajuar fëmijët që të përfshihen në akoma më shumë sjellje të tilla.

Kujdesuni për veten tuaj. Mund të jetë shumë stresuese të përballesh me një fëmijë, i cili është agresiv, impulsiv dhe i pabindur. Sigurohuni të gjeni mënyra për të menaxhuar stresin tuaj, duke përfshirë këtu ecje në natyrë, bisedë me një mik, meditim apo joga.

Kur jeni shumë të inatosur dhe të irrituar, merrni pak kohë dhe largohuni nga fëmija juaj, në mënyrë që të qetësoheni fillimisht e më pas ta disiplinoni atë.

8 shenja të stresit te fëmijët - kur të kërkoni ndihmë profesionale

Si të mos ju bërtasësh fëmijëve?



A mund të shfaqen sëmundjet mendore me probleme të sjelljes?