Mungesa e gjumit nuk konsiderohet më emblema e prodhimtarisë ose suksesit - kërkimet shkencore tregojnë gjithmonë e më shumë se mungesa e gjumit është një nga gjërat më të këqija që mund t’i bëjmë vetes. Trupi ndoshta mund të mos ketë nevojë për shumë gjumë, por truri ka patjetër shumë: një punë e madhe për ruajtjen e veprimtarisë sonë jetësore kryhet kur jemi në gjumë, ndaj dhe humbja e gjumit, sidomos kur është e vazhdueshme, pengon kryerjen e kësaj veprimtarie. Dy studime të reja përshkruajnë se çfarë i shkakton mungesa e gjumit aftësive tona të të menduarit ditën e nesërme dhe aftësisë së trurit për t’u pastruar nga “mbetjet” e rrezikshme.

Studimi i parë, nga Universiteti Shtetëror i Miçigan-it
, mbajti 77 njerëz zgjuar gjithë natën në laborator dhe 63 të tjerë u dërguan në shtëpi që të flinin si zakonisht. Të gjithë pjesëmarrësit kishin pushuar para fillimit të studimit dhe më pas u shpërndanë përkatësisht një pjesë me deprivim të gjumit për një natë dhe pjesa tjetër për të pushuar si zakonisht. Studiuesit u dhanë disa pyetësorë për vëmendjen (Detyrat psikomotore të vigjilencës) dhe aftësitë njohëse (Metoda UNRAVEL, e cila përfshin ndjekjen e një serie hapash në një periudhe më shkëputje të vazhdueshme) në darkë dhe të njëjtat edhe në mëngjes.

Pjesëmarrësit në grupin që u deprivuan nga gjumi dolën qartësisht më keq në përfundim të pyetësorëve se sa grupi tjetër: Në natën para fillimit të testimit pati një vlerë gabimi rreth 15% pas shkëputjeve në testin UNRAVEL, gjë që në mëngjesin e ditës së nesërme ishte rreth 30%. Në krahun tjetër, grupi që kishte pushuar natën pati pothuajse të njëjtat vlera gabimesh si në mbrëmje dhe në mëngjes. Grupi që u deprivua nga gjumi pati gjithashtu gabime të rëndësishme në pyetësorët për vëmendjen në mëngjesin e ditës së nesërme, krahasuar më grupin që pushoi.

Studimet treguan se deprivimi i gjumit dyfishon gjasat që të bëjmë gabime në veprime që kërkojnë ndjekje të njëpasnjëshme të hapave si dhe trefishon gabimet në veprime që kërkojnë vëmendje. Njerëzit që deprivohen nga gjumi duhet të ushtrojnë tepër kujdes në çfarëdo veprimi që ata bëjnë dhe e thënë thjesht, nuk mund t’u besohet që ata nuk do të bëjnë gabime të rëndësishme. Shpeshherë këto gabime mund të ndodhë që të kenë pasoja tragjike.

Jo çdo veprim që ne bëjmë mund të ndikohet nga mungesa e gjumit, por shumë prej tyre po.


Ndërkohë që ky studim tregon se si mungesa e gjumit ndikon te aftësitë tona konjitive  në mënyrë të menjëhershme, studimi i radhës tregon se si mungesa e gjumit e vë njeriun para rrezikut për probleme më serioze, siç janë humbja e aftësive konjitive dhe demenca në një periudhë më afatgjatë.

Në studimin e dytë, bërë nga Universiteti i Boston-it
, studiuesit ishin të aftë që të vëzhgonin “sjelljen” e likidit cerebrospinal (LCS) në trurin e njerëzve kur ata janë në gjumë. Studiuesit kërkonin të zbulonin nëse veprimtaria e valëve trunore kishte lidhje me presionin e gjakut dhe atë të LCS – ndaj ata u kishin vendosur njerëzve kapuçat e EEG për të matur valët trunore dhe të flinin brenda një aparati Rezonance Magnetike (RMI) për të vëzhguar lëvizjen e lëngjeve.

Ajo çfarë ata gjetën ishte që: ndërkohë që qelizat nervore qetësoheshin dhe valët e trurit ngadalësoheshin, gjaku largohej nga truri - dhe gjatë kohës që ai largohej, LCS futej dhe valët “pulsonin”.

Punimet e mëparshme kanë treguar se valët e trurit ndryshojnë përgjatë gjumit dhe punime të tjera kanë treguar se LCS futet brenda për të larguar mbetjet, duke përfshirë këtu edhe proteinat, grumbullimi i të cilave ndodh në Sëmundjen e Alzheimer-it, por asnjë nuk kishte vëzhguar lidhjen ndërmjet këtyre dy fenomeneve deri tani. Studime të tjera vëzhguese kanë treguar se mungesa e gjumit lidhet me rritje të riskut për sëmundje neurologjike, përfshirë këtu Alzheimer-in.

Studimet e reja lidhin bashkë disa nga linjat e punimeve të bëra më herët dhe përsëri, ndërkohë që secila vëzhgon pikëpamje dhe periudha të ndryshme të gjumit, ato mbeten kujtues të mirë që mungesa e gjumit mund të ketë ndikime serioze, në periudha afatshkurtra dhe afatgjata.



Lexo me shume:


Si ndikon cilësia e gjumit në jetën tonë të përditshme?