Shqetësimi për autizmin është rritur me ritme eksponenciale në vitet e fundit. Por dallimi i shenjave mund të jetë disi “hileqar”, sidomos në fëmijët shumë të vegjël.

Shenjat e autizmit dhe veçanërisht shenjat e autizmit te foshnjat janë një shqetësim në rritje mes prindërve të ditëve të sotme. Ajo çka është më e rëndësishme është se shenjat më të dukshme të autizmit te fëmijët fillojnë të shfaqen mes moshës 12 muajshe dhe 2 vjeç. Megjithatë, autizmi te foshnjat mund të shfaqet që në moshën e hershme, rreth muajit të 8-të. Por, gjëja më e vështirë është përcaktimi se cilat sjellje shqetësuese janë thjesht pjesë e zhvillimit normal social apo njohës të foshnjave dhe cilat janë simptoma që tregojnë se fëmija i përket spektrit të autizmit.

Ka një shumëllojshmëri të simptomave të autizmit dhe disa prej tyre janë shumë të mrephta. Për shembull, fëmija mundet që thjesht të mos ketë të zhvilluar aftësitë e “vëmëndjes së përbashkët”, si në rastin e tregimit me gisht të sendeve në mënyrë që t’i shohin prindërit. Në moshën 12 muajshe, te ata mund të mungojë kthimi i buzëqeshjes (buzëqeshja e ndërsjelltë shoqërore), gjë e cila duhet të përbëjë shqetësim. Ndërkohë që fëmijët me zhvillim normal mund t’u sjellin sende prindërve të tyre, një fëmijë brenda spektrit nuk e bën këtë gjë. Por në krahun tjetër më të dukshëm, fëmija brenda spektrit të autizmit mund të ketë vështirësi në vendosjen e kontaktit me sy, fëmijët përsërisin “si papagall” fjalët që thonë të tjerët, nuk i përgjigjen emrit të tyre ose shkundin ritmikisht duart.

Por duhet patur parasysh që, asnjë prej këtyre sjelljeve e marr veçmas nuk duhet të shkaktojë shqetësim të madh. Por, kur ato bëhen bashkë, atëherë është koha që të njoftojmë një pëdiatër.

 “Duhet të jenë një mori shqetësimesh në mënyrë që të na drejtojnë drejt një diagnoze, një tërësi e tërë sjelljesh.”- shprehen specialistët e shëndetit mendor për fëmijë në MIA Clinic. “ Çelsi është që të kërkojmë për një tërësi sjelljesh që janë të pranishme gjatë gjithë kohës: Është normale për fëmijët që të mos vendosin një kontakt të përkryer me sy, por një fëmijë që nuk vendos asnjëherë kontakt me sy me njerëzit me të cilët ndërvepron përbën një shenjë alarmi dhe aty fillon shqetësimi”.

Shenjat e autizmit te fëmijët e moshave 1 deri në 2 vjeç

  • Mungesa e përfshirjes në ndërveprim nëpërmjet “vëmëndjes së përbashkët”
  • Mungesa e fjalëve deri në moshën 18 muajshe
  • Mos sjellja e sendeve te prindërit e tyre
  • Sjellje kompulsive përsëritëse
  • Mungesa e “buzëqeshjes shoqërore”
  • Vështirësi në krijimin e kontaktit me sy
  • Mungesa e përdorimit të gjesteve
  • Të qëndruarit i tërhequr nga shoqëria
  • Mungesa e përgjigjes ndaj emrit të tij/saj
  • Përsëritje e vazhdueshme e asaj që të tjerët thonë
  • Vështirësi me ndryshimet
  • Humbje e aftësive gjuhësore dhe shoqërore (rikthim pas)
  • Frenim i zhvillimit të aftësive gjuhësore dhe shoqërore



Disa shenja të tjera janë më dramatike dhe shqetësuese. Mungesa e fjalëve deri në moshën 18 muajshe është menjëherë shumë shqetësuese. Një fëmijë, i cili është tërësisht i tërhequr nga shoqëria dhe nuk ka aspak interes që të ndërveprojë me prindërit apo me fëmijët e tjerë përbën urgjentisht një dritë alarmi. Një çështje tjetër është regresi (kthimi pas) dhe frenimi i zhvillimit të aftësive shoqërore. Kështu, nëse një fëmijë humbet papritur aftësitë që ai i kishte fituar përgjatë zhvillimit, ose thjesht ndesh në një pikë ndalimi në zhvillim, prindërit do duhet të kërkojnë ndihmë.

Përdoret termi regres në autizëm kur një fëmijë rreth 15-20 muajsh humbet aftësitë gjuhësore dhe aftësitë shoqërizuese. Kjo është karakteristike e autizmit. Por ndonjëherë ajo çfarë ndodh është “frenimi ose qëndrimi në të njëjtin nivel zhvillimi”. Nëse një fëmijë, i cili më herët të buzëqeshte dhe ndërvepronte me të tjerët do të qëndrojë në po atë plan dhe nuk do të zhvillojë asnjë aftësi pas moshës 15 ose 18 muajshe, nuk është një regres por është një frenim. Këto raste, meqenëse nuk konsiderohen si kthim pas nuk shkaktojnë të njerëzit shqetësime se ka diçka që nuk shkon me fëmijën e tyre, por frenimi duhet të përbëjë një arsye të menjëhershme për ta drejtuar te një specialist.

Një çelës për prindërit është vëzhgimi i pranisë së sjelljeve që duken si të fshehura. Zbulimi i këtyre modeleve të sjelljes mund t’i ndihmojë prindërit që të kuptojnë nëse fëmija i tyre ka një sjellje normale, një shenjë autizmi apo një simptomë të një çështjeje tërësisht tjetër që lidhet me sjelljen.

Mos të harrojmë se fëmijët bëjnë gjëra të çuditshme gjithë kohës. Në fund të ditës, ajo që është më e rëndësishme është të kërkosh për mungesën e aftësive të përshtatshme se sa për praninë e sjelljeve të pazakonta.

Ne rekomandojmë se një prind i shqetësuar duhet të njoftojë një pediatër, pasi vlerësimi i fëmijës nga një specialist nuk ka anjë ndikim negativ, edhe pse mund të jetë një alarm i rremë.




Lexo më shumë:

Autizmi, si duhet ta dallojnë prindërit?