“Si bën dhe ti, të gjithë janë duke e bërë. S`ka ndonjë gjë.”

Është e pritshme se çdo adoleshent në një moment të caktuar mund të përballet me presionin e shoqërisë.

Le të themi se të kanë ftuar në një festë, ku me siguri do të ketë alkool, por ndoshta edhe drogë. Një shoku juaj ka lënë orët e mësimit. Dikush të ofron një cigare. Miqtë e tu flasin për marrëdhëniet seksuale me të dashurin/dashurën. Ti si reagon? Joshesh të ndjekësh shembullin e tyre apo i qëndron bindshëm sistemit tënd të vlerave?

Në një pikë të caktuar, çdo kush ka dëshirë të jetë pjesë e një grupi. Zakonisht, grupin e zgjedh në varësi të interesave tuaja të përbashkëta, kështu ndihesh sikur i përket atij grupi dhe ndihesh i sigurt.

Por, po sikur persona të “grupit tënd” fillojnë të bëjnë gjëra të gabuara, të dëmshme, madje në disa raste jo të ligjshme? Po sikur këta persona të jenë miqtë e tu të ngushtë?

Për të kuptuar më shumë mbi presionin e shoqërisë, le të shohim disa shembuj dhe mendo si do të silleshe në këto situata konkrete:

1-“Shokët e mi do të mblidhen te Premten në darkë. E di që do marrin alkool, madje njëri do të sillte edhe marihuanë. Unë nuk pi alkool, as marihuanë, por nuk dua të mendojnë që jam dështak.”

2-“Kam një shok më të rritur në pallat që pi cigare. Gjithmonë na ofron cigare mua dhe shokëve të mi. Javën e kaluar, shoku im i ngushtë Danieli e piu një cigare me të.”


3- "I dashuri im më kërkon të kryejmë marrëdhënie seksuale. Ai më thotë se të gjithë e bëjnë në këtë moshë. Në fakt, shoqet e mia kanë kryer marrëdhënie seksuale dhe unë e pëlqej shumë të dashurin tim. Nuk dua që ai të mendoj që nuk e pëlqej ose të ndahemi.

Në të tre rastet, vendimi yt se si do të përballesh me presionin e shoqërisë mund të ketë pasoja të rënda:

1-Po sikur policia t`ju pikasë duke konsumuar marihuanë dhe t`ju arrestojë? Si do të reagonin prindërit tuaj kur të lajmërohen nga policia? Si do të ndiheshe pasi të kaloje një eksperiencë të tillë?

2- Në shembullin e dytë, tashmë duhet të dini sa e dëmshme është duahnpirja për shëndetin tuaj, duke rritur riskun për sëmundje të mushkërisë, të zemrës dhe kancer. Është shumë e thjeshtë të krijosh varësi nga duhani.


3-Në shembullin e tretë do të duhet të mendosh për atë çka ndien ti dhe pasoja të mundshme afatgjata. A ndihesh gati për të kryer marrëdhënie seksuale? A je i/e sigurt që i njeh masat e duhura mbrojtëse kundër një shtatzënie të padëshiruar ose sëmundjeve seksualisht të transmetueshme?


    Si të vlerësosh riskun e presionit të shoqërisë


    Siç e shikoni, pasojat që vijnë si pasojë e presionit të shoqërisë mund të jenë të rënda. Fatkeqësisht, adoleshentët nuk njihen për një proces shumë logjik të të menduarit. Shumica prej tyre ndihen si të paprekshëm, si “asgjë nuk mund të më ndodhë mua”. Por në fakt, duhet të vlerësohen mirë rreziqet - përpara se të merren vendimet. Përpara se të ndiqni turmën, shtrojini vetes këto pyetje:

    - A mund të dëmtohem fizikisht?
    - A mund të lëndoj dikë tjetër?
    - A është e jashtëligjshme?
    - Cili është ndikimi afatgjatë në shëndetin tim?
    - Si më ndikon në shkollim?
    - Si e ndikon marrëdhënien në familje?

    Zgjedhja është e jotja


    Në një pikë të caktuar, çdo kush prej nesh është i vetëm, edhe kur jemi të ndikuar nga miqtë tanë. Ti e di mirë se çfarë është e drejtë dhe e gabuar. Dhe vetëm ti mund të vendosësh se cila është rruga që do të ndjekësh.

    Këdo që të pyesësh, pa dyshim që është gjendur të paktën një herë përballë presionit të shoqërisë. Shumë prej tyre mund të kenë rënë pre e këtij presioni dhe të kenë jetuar me pasojat. Ndaj, me shumë mundësi, ajo që shpesh do të dëgjosh është se të thënit gjithmonë “po” shoqërisë nuk ia vlen.

    Gjithmonë duhet të besosh te vetja dhe nëse nuk ndihesh rehat me vendimet e të tjerëve, mos ki frikë të thuash “jo faleminderit”.

    Të mësosh se si të ruash sistemin tënd të vlerave dhe të parashikosh pasojat e vendimeve të tua janë hapat e parë në transformimin tënd në një adult të përgjegjshëm.