Shpesh dëgjojmë njerëzit duke cilësuar sjelljen e dikujt tjetër si “toksike”, por nuk na vjen ndërmend të kemi dëgjuar dikë që të thotë “Sjellja ime është toksike”. E megjithatë, në të vërtetë, shumica prej nesh shfaqin disa sjellje toksike në një çast të caktuar në jetë.

Çfarë e bën një sjellje të jetë “Toksike”


Jo të gjitha sjelljet që mund të mërzisin të tjerët, janë njëlloj të dëmshme. Për shembull, gjatë një zënke në çift ju mund t’i thoni njëri-tjetrit gjëra të padrejta, por shumë shpejt e falni njëri tjetrin dhe nuk shkaktohet ndonjë dëmtim afatgjatë as te partneri dhe as në marrëdhënien tuaj.

Sjellje të tjera mund të shkaktojnë “plagë të thella” që mund të kenë një ndikim më të gjatë në kohë. Abuzimi emocional, për shembull, mund të dëmtojë, jo vetëm thelbin e marrëdhënies suaj, por mund të bëjë që personi tjetër të ketë vështirësi përgjatë gjithë jetës. Thënë kështu, një sjellje toksike mund të quhet çdo gjë që “helmon” një marrëdhënie dhe ka aftësi të pengojë e të kufizojë rritjen individuale të personit tjetër.

Llojet më të zakonshme të sjelljes toksike


Sjellja toksike mund të jetë tepër e vështirë për ta dalluar te vetja. Në të vërtetë, ne mund t’i shfaqim këto sjellje përgjatë pjesës më të madhe të jetës si të rritur dhe të mos e kuptojmë asnjëherë që jemi duke dëmtuar njerëzit përreth nesh – dhe veten tonë gjithashtu.

Më poshtë po paraqesim disa nga sjelljet toksike të padallueshme prej nesh dhe që janë më të shpeshta në praktikën klinike:

Minimizimi i dhimbjes së dikujt.


Sjellja duke shmangur takimin me dikë në kohën që e dini që ai po vuan, por ju thjesht bëni sikur nuk e dini. Të tjerë shembuj përfshijnë edhe përdorimin e shprehjeve “bajate”, si “Hë se nuk është fundi i botës”, ose, “Mos bëj kështu dhe ti”. Kështu padashur ju po nënvlerësoni vuajtjen e personit tjetër.

Çfarë të bëni:  Lejoni përvojën e personit tjetër të jetë ashtu siç është, pa u përpjekur që ta minimizoni dhimbjen e tij. Përpiquni të jepni mbështetjen e duhur duke u munduar edhe që të kuptoni këndvështrimin e tjetrit. Do të ketë raste të tjera për të dhënë leksione për jetën; për tani, ofrojini dashurinë dhe përkujdesjen tuaj.

Kritikoni vazhdimisht.


Ky model sjelljeje është më i zakonshëm te prindërit, që i kanë fëmijët në moshë të rritur. Pavarësisht se çfarë bën personi tjetër, ju gjeni gjithmonë diçka që nuk shkon – janë prindër shumë tolerant; veshja e tyre nuk është shumë e përshtatshme; shtëpia duhet të jetë më e pastër. Ju mund të mendoni se kështu po i ndihmoni, por për personin tjetër kjo është shumë shkurajuese.

Çfarë të bëni:  Përpara se të jepni mendimin ose udhëzimet tuaja, mendoni me kujdes se si mund ta presë personi tjetër.

E shprehni zemërimin në mënyrë jo të drejtpërdrejtë.


Anashkaloni përballjen pasi për ju nuk është situate e rehatshme dhe e shprehni frustrimin ndaj dikujt në mënyrë jo të drejtpërdrejtë – ajo që shpesh quhet si sjellja “pasive-agresive”. Për shembull, mund të bëni një shaka për pamjen e dikujt, gjë që nuk është gjë tjetër veçse një kritikë e bëre me finesë; të fshehurit të gjërave nën petkun e shakasë bën që për personin tjetër të jetë tërësisht e paarsyeshme që të nxehet për të. Një shembull tjetër mund të jetë që të kërkohet të bësh diçka, të cilën nuk dëshiron që ta bësh dhe e gjen veten p.sh., duke shkuar gjithmonë me vonesë ose e lë punën përgjysmë. Këto sjellje janë veçanërisht të dëmshme sepse ato fshihen pjesërisht, duke e bërë të vështirë të bisedosh rreth tyre për ta kapërcyer si problem.

Çfarë të bëni: Tregohuni i ndershëm me veten rreth ndjenjave që iu kanë shtyrë drejt kësaj sjelljeje. Nëse nuk je i lumtur për diçka dhe ia vlen që ta ngresh si problem, atëherë gjej mënyrën dhe kohën për ta bërë atë drejtpërdrejt dhe ndershmërisht.

Shmangia e krijimit të marrëdhënieve të afërta.


Ju krijoni marrëdhënie emocionale me të tjerët, por gjeni gati gjithmonë një mënyrë që marrëdhënia të mos jetë shumë e afërt. Ndoshta filloni të largoheni emocionalisht, nisni një debat të paqenë, bëni shaka gjatë gjithë kohës, ose gjeni një arsye për të kaluar më pak kohë me të. Gjatë këtij proçesi ju e lini tjetrin që të ndihet i shkëputur dhe i hutuar.

Çfarë të bëni:  Shikoni me kujdes mënyrën e sjelljes tuaj në një marrëdhënie. Kërkoni informacione edhe rreth “stilit të krijimit të marrëdhënies emocionale, empatike me të tjerët”, që tregon mënyrën se si ne lidhemi me të tjerët. Mund edhe të merreni me këtë gjë gjatë seancave të terapisë.

Mungoni atëherë kur prania juaj është e nevojshme.


Ju nuk i jepni mbështetjen e duhur dikujt që ka nevojë shumë për ju gjatë një periudhe të vështirë. Ju mund ta mbështesni fillimisht dhe të zotoheni, që do jeni aty për të, por pastaj nuk përfshiheni për një arsye a një tjetër.

Çfarë të bëni:  Mendoni për njerëzit më të dashur për ju dhe nëse ndonjë prej tyre po kalon një periudhë të vështirë, pyeteni se për çfarë ka nevojë. Dhe mbani mend, është më mirë që të mbështesni dikë me aq mundësi sa keni, ndonëse shpesh mund të mos dini “gjënë e duhur për të thënë”, se sa të mos jeni fare aty për të.

Fshihni problemet tuaja


Ju nuk e ndani një shqetësim të madh që mund të keni me njerëzit tuaj të afërt, si për shembull, një problem financiar, vështirësi në punë ose varësi nga një ves i caktuar. Ju mund t’i thoni vetes se kështu po mbroni personin tjetër, ose zgjidhni t’ua thoni pasi problem ka kaluar. Por, në të vërtetë personi tjetër e përjeton sjelljen tuaj të fshehtë si mungesë ndershmërie, e cila mund të jetë toksike për disa marrëdhënie.

Çfarë të bëni: Ndani më shumë gjërat me njerëzit të cilët ka kuptim të kenë dijeni për çështje të tuat. Kjo fillimisht mund të jetë e dhimbshme, por do t’ju kursejë ju dhe të tjerëve nga përjetimi i situatave të pakëndshme dhe/ose të dhimbshme në vazhdim. Me shumë gjasa kjo mund të bëjë që njerëzit e dashur t’ju mbështesin më shumë nga sa ju mund të ndihmonit veten dhe ndoshta ju japin një zgjidhje, për të cilën nuk ju kishte shkuar mëndja.

Shpërqendroheni vazhdimisht.


Kjo sjellje është vështirë të identifikohet si toksike sepse është shumë pasive. Në pamje të parë nuk ka asnjë konflikt të dukshëm me personin tjetër, ju jeni thjesht të shqetësuar me gjëra të tjera gjatë gjithë kohës, e ndaj iu kushtoni shumë pak vëmendje njerëzve rreth jush. Në ditët e sotme shpërqendrimi vjen si pasojë e orëve të tëra të kaluara me telefonin, duke qenë se çfarëdo njoftimi që na vjen na largon nga marrëdhëniet njerëzore të jetës së përditshme.

Çfarë të bëni:  Përcaktoni disa minuta ose orë në ditë për t’iu përkushtuar tërësisht njerëzve të rëndësishëm në jetën tuaj. Përcaktoni zona, në  të cilat nuk do e përdorni telefonin, si tavolina e ngrënies, ku të keni mundësinë që të shikoni në sy njerëzit e ulur përballë jush. Merrni parasysh që ndoshta të bëni edhe disa seanca meditimi, në mënyrë që të përqendroheni te gjërat e rëndësishme për ju.

Nëse e gjeni veten në secilën prej sjelljeve të mësipërme, mos u shqetësoni. Asnjë nuk është i përkryer dhe fakti që po i vini re këto sjellje është shenjë e mirë: Tregon që mund të përmirësoheni.

Në të vërtetë, dëshira për t’u përmirësuar është çelësi i dallimit ndërmjet një sjelljeje toksike të përkohshme dhe të qenit një njeri toksik. Në sajë të ndërthurjes së karakteristikave të personalitetit dhe historisë personale, sjellja e disa njerëzve është kaq shumë dëmtuese sa mjafton thjesht prania e tyre, që atmosfera të bëhet mbytëse. Fatmirësisht ndeshemi me shumë pak njerëz të tillë në jetë. 

Nevojitet guxim dhe ndershmëri që të njohësh mangësitë e vetes dhe t’u “vësh emrin” pra t’i etiketosh saktë. Ndërkohë që punon për të ndryshuar sjelljen, kujdesu që të mos e ngarkosh veten duke e fajësuar dhe të vetë abuzohesh emocionalisht (si për shembull, të quash veten “njeri të keq” sepse je toksik me raste). Ndërkohë që je duke u praktikuar që të tregohesh i butë e i sjellshëm me të tjerët, kujto që të ruash ca edhe për veten.