Meqenëse fëmijët nuk vijnë me "manual", prindërit shpesh hasin vështirësi për të gjetur se cila është mënyra më e mirë për të rritur një fëmijë të fortë mendërisht, të shëndetshëm dhe të suksesshëm njëkohësisht. Disa prindër janë të rreptë, ndërsa të tjerë janë më të butë. Disa janë vigjilentë, ndërsa të tjerët janë më pak të vëmendshëm.

Nëse pyetja ″Çfarë lloji prindi dua të jem? ” të ka kaluar ndonjëherë nëpër mend, atëherë për të gjetur përgjigjen mund të të ndihmojë të kuptuarit e bazave të stileve të ndryshme të prindërimit.


Katër stilet e prinderimit


Katër stilet kryesore të prindërimit - lejues, urdhërues, neglizhues dhe autoritar - të përdorura në psikologjinë e fëmijëve sot, bazohen në punën e Diana Baumrind, një psikologe zhvillimi dhe studiuesve të Stanfordit, Eleanor Maccoby dhe John Martin.

Secili stil prindërimi ka ndikime të ndryshme në sjelljen e fëmijëve dhe mund të identifikohet nga karakteristika të caktuara, si dhe nga shkallët e reagimit (shkalla në të cilën prindërit janë të ngrohtë dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të fëmijëve të tyre) dhe kërkesa (shkalla e kontrollit që prindërit vendosin mbi fëmijët e tyre në përpjekje për të ndikuar në sjelljen e tyre).
 

1. Prindi lejues


Karakteristikat e zakonshme:

  • Përgjegjshmëri e lartë, kërkesë e ulët
  • Komunikojnë hapur dhe zakonisht i lënë fëmijët e tyre të vendosin vetë, në vend që të japin udhëzime
  • Rregullat dhe pritshmëritë ose nuk janë vendosur ose zbatohen rrallë
  • Në mënyrë tipike kalojnë nëpër shumë peripeci për t'i bërë fëmijët e tyre të lumtur, ndonjëherë edhe duke patur pasoja mbi vetë ata si prindër

Prindërit lejues kanë më shumë të ngjarë të marrin rolin e një miku, sesa një rol prindëror me fëmijët e tyre. Ata parapëlqejnë të shmangin konfliktin dhe shpesh pranojnë lutjet e fëmijëve të tyre në shenjën e parë të shqetësimit. Këta prindër kryesisht i lejojnë fëmijët e tyre të bëjnë atë që duan dhe ofrojnë pak udhëzime.


2. Prindi autoritar


Karakteristikat e zakonshme:

• Përgjegjshmëri e lartë, kërkesë e lartë

• Vendosin rregulla dhe pritshmëri të qarta për fëmijët e tyre ndërsa praktikojnë fleksibilitetin dhe mirëkuptimin

• Komunikojnë shpesh; ata dëgjojnë dhe marrin parasysh  ndjenjat dhe mendimet e fëmijëve të tyre

• Lejojnë pasojat natyrore të veprimeve të fëmijëve të ndodhin (p.sh., fëmija ngel në provim nëse nuk ka studiuar), duke i përdorur ato si mundësi për të ndihmuar fëmijët e tyre të reflektojnë dhe të mësojnë

Prindërit autoritarë janë edukues, mbështetës dhe shpesh në një mendje me nevojat e fëmijëve të tyre. Ata i drejtojnë fëmijët e tyre përmes diskutimeve të hapura dhe të sinqerta për të mësuar vlerat dhe arsyetimet e drejta. Fëmijët që kanë prindër autoritarë priren të jenë të vetë-disiplinuar dhe mund të mendojnë vetë.

3. Prindi neglizhues


Karakteristikat e zakonshme:

• Përgjegjshmëri e ulët, kërkesë e ulët

• Këta prindër i lënë fëmijët e tyre të kujdesen vetë për veten e tyre, mbase sepse ata janë indiferentë ndaj nevojave të tyre ose janë të papërfshirë / mbingarkuar me gjëra të tjera

• Ofrojnë pak përkujdesje, udhëzim dhe vëmendje

• Shpesh përballen me çështje të tyre të vetëvlerësimit dhe e kanë të vështirë të krijojnë marrëdhënie të ngushta

Ndonjëherë përshkruhen si prindër të papërfshirë, ky stil prindërimi përshkohet nga një ndjenjë e përgjithshme e indiferencës. Prindërit neglizhentë kalojnë pak kohë me fëmijët e tyre dhe rrallë zbatojnë rregulla. Ata gjithashtu mund të shihen si të ftohtë dhe të pakujdesshëm - por jo gjithmonë qëllimisht, pasi ata shpesh janë duke u përballur me shumë probleme e vështirësi me veten e tyre.

4. Prindi urdhërues


Karakteristika të zakonshme:

• Kërkesë e lartë, përgjegjshmëri e ulët

• Zbatojnë rregulla strikte duke marrë shumë pak parasysh ndjenjat ose nevojat emocionale dhe ato sjellore të fëmijëve të tyre 

• Shpesh thonë “sepse unë them kështu” kur fëmija i tyre vë në dyshim arsyet pas një rregulli ose pasoje të caktuar

• Komunikimi është kryesisht njëkahësh - nga prindi tek fëmija 

Ky stil i ngurtë prindërimi përdor një disiplinë të rreptë, shpesh e justifikuar si «dashuri e ashpër». Në përpjekje për të patur kontroll të plotë, prindërit urdhërues shpesh flasin me fëmijët e tyre pa dashur të japin informacion ose shpjegime.

Cili është stili më i mirë i prindërimit për ju?

Studimet tregojnë se prindërit autoritarë kanë më shumë të ngjarë të rrisin fëmijë të pavarur, që mbështeten te forcat e veta dhe të dobishëm për shoqërinë.

Ndonëse fëmijët e prindërve autoritarë nuk janë të imunizuar ndaj problemeve të shëndetit mendor, ndodh që vështirësive në marrëdhënie, abuzimit me substancat, aftësi të varfëra vetërregulluese ose vetëvlerësimit të ulët, janë parë më shpesh tek fëmijët e prindërve të cilët përdorin në mënyrë rigoroze stilet e prindërimit urdhërues, lejues ose neglizhues.

Sigurisht, kur bëhet fjalë për prindërit, nuk ka asnjë "masë që u përshtatet të gjithëve". Ju nuk keni nevojë të përqafoni vetëm një stil prindërimi, pasi mund të ketë raste kur duhet të përdorni një qasje të larmishme prindërore - por në mënyrë të përmbajtur.

Prindërit më të suksesshëm dinë kur të ndryshojnë stilin e tyre, në varësi të situatës. Një prind autoritar, për shembull, mund të dëshirojë të bëhet më lejues/tolerant kur fëmija i tij është sëmurë, duke vazhduar t'i sigurojë ngrohtësi dhe duke lënë pak mënjanë kontrollin e tepërt (p.sh. "Sigurisht, fëmija mund të lejohet të hajë akullore në drekë dhe në darkë.").

Dhe një prind lejues mund të jetë më i rreptë nëse siguria e fëmijës së tij është në rrezik, si kur është duke kaluar rrugën (p.sh. "Do të më mbash dorën të pëlqen apo jo.").

Në fund të ditës, përdorni gjykimin tuaj më të mirë dhe mos harroni se stili i prindërimit që funksionon më mirë për familjen tuaj është në varësi të situatës me të cilën po përballeni në një çast të caktuar.



4 fazat e zhvillimit të fëmijës – në këndvështrimin e një mamaje.