Edhe sot, pas plot 20 vitesh nga diagonza e fëmijërisë me Çrregullimin e hiperaktivitetit dhe vëmëndjes së pamjaftueshme (ADHD), unë jam ende i vetëdijshëm se si vëmëndja ime shpesh humbet, lëkundet ose është ndryshe nga ajo e shumicës së njerëzve.

Jam i prirur që të përjetoj “boshllëqe” gjatë bisedës dhe papritur e kuptoj që nuk arrij që të rikujtoj se çfarë ka ndodhur apo është thënë në 30 sekonda më parë, a thua se jeta ime ishte si një video dhe dikush më kishte anashkaluar ato çaste dhe më kishte çuar disa sekonda para ( zakonisht, përpiqem që ta “fsheh” mungesën e vëmëndjes ose shtirem sikur e kam ndjekur bisedën – gjë që është shumë e sikletshme). Kur jam duke parë televizor, e kam shumë të vështirë që të qëndroj pa lëvizur, shpesh humbas durimin dhe shqetësohem, si dhe e kam tepër të vështirë që të mbaj përgjegjësi për dokumenta me rëndësi, duke qënë se jam shumë i prirur që të harroj detaje të rëndësishme.

Zakonisht unë “përqëndrohem më tepër seç duhet” - përditshmëria me gjithë ndodhitë e saj shpesh mund të ndodh që të më kalojë pa e kuptuar, duke qënë se unë përfshihem tërësisht pa e kuptuar në një çështje, duke lexuar qindra faqe ose duke shkruar mijëra fjalë.

Më parë e shikoja gjithë këtë si një mangësi timen, por, duke qënë se kam krijuar një karrierë, e cila më ka ndihmuar që të kuptoj më mirë vështirësitë e mia dhe se si mund t’i përdorja po të njëjtat “mangësi” në të mirën time, nuk i shoh më gjërat në të njëjtën mënyrë. Përkundrazi, e shoh natyrën time të shpërqëndruar si një burim të vetëdijshëm kundrejt brishtësisë së gjithë vëmëndjes.

Unë punoj në hartimin mësimor, e cila përfshin praktikën e zhvillimit të produkteve dhe përvojave mësimore tërheqëse për të ndihmuar të tjerët që të mësojnë. Duke krijuar klasa ndërvepruese (interaktive) dhe mbledhje për diskutime të ndryshme (workshop), qëllimi im është që të kultivoj vëmëndjen dhe përqëndrimin e nxënësit, por gjëja e parë që mësova vet ishte se kjo ishte tmerrësisht e vështirë për këdo – me ose pa çrregullim. Në të vërtetë, ka disa rregulla të zakonshme, që pasqyrojnë se sa të shkurtër janë intervalet e vëmëndjes: psh qoftë edhe 10 minuta leksion përbëjnë një kohë shumë të gjatë për t’u ndjekur nga disa njerëz (mendoni numrin e herëve që e keni kapur veten, ose dikë pranë jush, të lodhur e bezdisur gjatë një takimi, prezantimi apo konference të zgjatur). Çelësi qëndron në shpërndarjen dhe krijimin e larmishmërisë midis ushtrimeve dhe diskutimeve. Për më tepër, studimet gjithnjë e më shumë po tregojnë se njerëzit janë më të prirur për të përthithur ide dhe informacione të reja nëse ato lidhen me diçka që atyre u intereson. E gjitha kjo merr një rëndësi “magjike” kur bëhet fjalë për njerëzit e diagnostikuar me ADHD, të cilët kanë mangësi të vëmëndjes, nëse nuk janë fuqimisht të lidhur me diçka që u intereson, por që mund të thellohen dhe përqëndrohen shumë në një veprimtari e cila zgjon te ata interes të madh në atë çast.

Të punuarit në hartimin e planit mësimor më ka bindur se sistemi ynë mësimor është pak i përshtatshëm për pothuaj këdo, jo vetëm për ata të diagnostikuar me ADHD. Shumica e programeve mësimore kanë mangësi që në fazën paraprake, atë të hulumtimit të interesave që kanë vetë nxënësit, para se t’u paraqesim atyre një material, i cili do të jetë në të njëjtën linjë me interesat që ata tashmë kanë. Shumica e lëndëve, veçanërisht ato në 9 vjeçar dhe në gjimnaz, ende bazohen në leksione që zgjasin më tepër se pesë minuta rresht. Në dallim nga kjo, vini re se si mediat sociale, video lojërat dhe shumë fusha të tjera të jetës iu përshtaten dhe shfrytëzojnë intervalet e shkurtra të vëmëndjes e përqëndrimit, duke e hartuar dhe përshtatur modelin e tyre në mënyrë të tillë që t’u përmbahen interesave tona dhe rrëmbejnë kështu vëmëndjen tonë.  Prindërit e fëmijëve me ADHD ndihen të dëshpëruar ndaj interesit të madh që shfaqin fëmijët e tyre për video lojërat në krahasim me matematikën, por ndoshta ata do duhet që të shqetëson se pse ushtrimet matematikore apo mësimet e tjera nuk mund të bëhen po aq tërheqëse dhe përfshirëse sa video lojërat.

Disa lojëra dhe shumë më pak lëndë mësimore janë të tilla, që të jenë tërheqëse. Por, pse kur ne jetojmë në një epokë që e dimë se të mësuarit mund të jetë një lloj “varësie”, nuk kemi ende një format të mësuari, i cili do të përfshinte dhe argëtonte mëndjet e reja (dhe ato më të vjetra)? Rihartimi i programeve mësimore është një ndërhyrje në sistemin e edukimit që nuk kushton, krahasuar me futjen e teknologjive të përparuara apo me shtimin e mësuesve në klasa.

Deri sa kjo të ndodh, njerëzit që shpërqëndrohen mundet të praktikojnë gjithmonë “mëso si të mësosh”, ashtu sikurse e quante shpesh psikologu im. Për mua, kjo filloi që në vitet 90’ me dosje të koduara me ngjyra apo me axhendë dhe që prej asaj dite kam vazhduar më tej deri në përdorimin e kalendarit të Google. Me përpikmëri, unë regjistroj çdo orë të jetës sime në punë (por gjithashtu edhe orët e kohës së lirë). Unë i rikthehem listës sime me gjëra për të bërë vazhdimisht gjatë ditës.
Kam mësuar gjithashtu që të lë hapësirë për shpërqëndrimin – gjë e cila nënkupton edhe të jetosh me gjërat përreth teje, të jesh kureshtar për mundësi të reja dhe i shumëanshëm në interesa. Të shpërqëndrohesh (madje edhe duke mbajtur shënime se cilit shpërqëndrim interesant mund t’i rikthehesh më vonë), më ka ndihmuar që të mendoj se si mund të mësoj ndryshe: jo çdo lloj i mësuari kërkon përqëndrim të vazhdueshëm, disa lloj mënyrash krijuese dhe të menduari konceptual përfitojnë nga rikthimi i herëpasherëshëm te një temë, në mënyrë që të kemi një këndvështrim ndryshe çdo herë.

Ndaj, në të mësuar, ashtu si dhe në jetë, mund të jetë e çmueshme jo vetëm të ridrejtojmë vëmendjen e njerëzve me ADHD, por gjithashtu t’i ndihmojmë ata të reflektojnë mbi atë se çfarë e thith vëmendjen e tyre dhe pse, duke përdorur, për shembull, lojën e vjetër të biznesit -  vetëm me një fazë reflektimi, ku fëmijët mund të njohin dhe mësojnë nga vetë rruga e përshkuar e mendimit të tyre dhe të zhvillojnë aftësinë e “metakonjicionit”, që do të thotë të mendosh rreth vetë mendimeve të tua. Ky proçes refleksiv (pasqyrues) është një pjesë thelbësore e të kontrolluarit të vëmëndjes sonë dhe të mësuarit rreth botës dhe vetes sonë, veçanërisht në një moshë e cila ka shpërqëndrime të shumta.

Jam tepër i vetëdijshëm që arrita ta kontrolloja ADHD-në time, më tepër falë privilegjeve të shumta: burimeve financiare të familjes sime dhe jashtëzakonisht i mbështetur dhe i nxitur nga prindërit e mi. Pak njerëz me ADHD i kanë këto privilegje dhe shumë që janë diagnostikuar përfundojnë duke abuzuar me drogëra të ndryshme, të cilat kur merren që në fëmijëri, mund të pengojnë zhvillimin fizik dhe mund të krijojnë varësi, shpesh me pasoja afatgjata. Ndërkohë që për shumë mund të jetë e nevojshme marrja e mjekimit për ADHD-në, është shqetësuese se sa pak ata përfitojnë nga mënyra të tjera të ndihmës dhe ndërhyrjes, kjo ndodh më tepër sepse mjekimi është më i lirë dhe më i arritshëm se sa mbështetja edukative.

Në pa dyshim që do të vazhdojmë studiojmë dhe të debatojmë nëse ADHD-ja i ka rrënjët në ndryshimet biologjike, është produkt i shoqërisë sonë me vëmëndje të fragmentuar, apo me shumë mundësi është rezultat i një tërësie faktorësh të ndërvarur social dhe biologjikë. Mënyra më të mira të mësimdhënies, praktika reflektimi dhe komunikimi nuk do të zgjidhin problemin që lidhet me vëmëndjen e njerëzve, por do të mund të ndihmojnë këdo që të mësojë më mirë – jo vetëm ne që e kemi një diagnozë të veçantë.


Nga ndryshon hiperaktiviteti nga ADHD?