Ndarja dhe pavarësia

Si i porsalindur, fëmija juaj nuk e ka konceptin e vetvetes si një individ i veçantë: Ai mendon se ju të dy jeni një dhe nuk e kupton që doçkat dhe këmbët e vogla që po tunden para tij janë të tijat. 

Me kalimin e kohës, ndërkohë që fëmija është duke u rritur fizikisht dhe mendërisht, ai do atë kuptojë që ai është vetja e tij e veçantë, e pavarur, me trupin e tij, me mendimet dhe ndjenjat e tij. Dhe natyrisht, do të dojë t’i bëjë gjërat në mënyrën e tij.

Kur zhvillohet individualiteti?

Ndjenja e individualitetit te fëmija juaj do të dojë disa vite që të zhvillohet. Rreth muajit të 6-të ose 7-të, fëmija fillon të kuptojë që ai është i ndarë nga ju dhe që ju mund ta lini atë vetëm. Kjo është periudha kur fillon të shfaqet edhe ankthi i ndarjes dhe mund të zgjasi deri në vitin e dytë të jetës.

Por, sapo fëmija fillon të bëhet më social dhe të ndihet më i sigurt, sepse ju në të vërtetë do të ktheheni për ta marrë atë përsëri pasi e keni lënë në çerdhe apo te dadoja, atëherë ai do të jetë i aftë që të eci përpara dhe të krijojë identitetin e tij. Përgjatë viteve të fëmijërisë së hershme, proçesi i krijimit të pavarësisë së tij mund të ketë lulëzuar mjaftueshëm sa për t’iu krijuar ndonjë problem: Të dashurit e gjërave sipas “mënyrës sime” është epiqendra e shumë shpërthimeve të zemërimit (tantrumeve).

Si zhvillohet individualiteti?


1 deri 6 muajsh

Deri në muajin e gjashtë, fëmija identifikohet tërësisht me kujdestarin e tij, kryesisht mamanë. Duke u përpjekur që të fitojë kontrollin e lëvizjeve dhe reflekseve bazë, ai as nuk mundet që të mendojë rreth proçesit të të formuarit të identitetit të tij përgjatë atyre muajve të parë. Shqetësimi i tij kryesor është plotësimi i nevojave të menjëhershme për ushqim, dashuri dhe vëmëndje. Ju mund të filloni të vini re shenjat e para të krijimit të pavarësisë rreth moshës 4 muajshe, kur fëmija zbulon se mund t’ia nisi të qarit për të fituar vëmëndjen tuaj. Ky është një ndër hapat e parë të të mësuarit se ai ka një vullnet të pavarur dhe mënyra se si ai vepron ka një ndikim te të tjerët – kryesisht mbi mamanë.

Një studim i famshëm tregon saktësisht se sa të pavetëdijshëm janë foshnjet për ekzistencën e tyre. Studiuesit vendosen disa foshnje, nën moshën një vjeçare, përballë pasqyrës për të parë nëse ata kuptonin se pasqyrimi ishte imazhi i vetes së tyre. Ata nuk e kuptuan. Foshnjet do të përkëdhelnin imazhin e tyre në pasqyrë, duke u sjellë kështu sikur ishin duke parë një fëmijë tjetër. Kur studiuesit hodhën xixa të kuqe te hundët e foshnjeve dhe i rikthyen përpara pasqyrës, ata gjithashtu u përpoqën që të preknin paqyrimin e hundës dhe jo vetë hundën.

7 deri 12 muajsh
Rreth moshës 7 muajshe fëmija do të kuptojë se ai është i pavarur nga ju. Ndërkohë që ky është një gur i rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës, të kuptuarit e ri të ndarjes mund t’i shkaktojë atij ankth. Ai e di që ju mund ta lini diku, por ai nuk e di ende që do të ktheheni gjithmonë për të, ndaj dhe mund të shpërthejë në të qara kur ju largoheni qoftë edhe për një minutë.

Rezistojini nxitjes për t’u larguar fshehurazi kur ai është me kurriz – kur ju e lini në çerdhe, për shembull. Kjo nuk do e ndihmojë atë që të përballet me largimin dhe do e frikësojë më shumë duke menduar se ju nuk do të ktheheni. Sado e vështirë që të jetë, i thoni mirupafshim ndërkohë që ai është duke parë.

13 deri 24 muajsh
Fëmija juaj tani është duke përparuar në dallimin e vetes nga ju dhe njerëzit përreth tij. Në të njëjtin studim britanik të përmendur më sipër, studiuesit vendosën xixa te hundët e fëmijëve në moshën 21 muajsh. Kur këta fëmijë panë përsëri në pasqyrë, ata prekën hundët e tyre: Ata e kuptuan se paqyrimet ishin imazhet e vetes së tyre.

Fëmija 2 vjeçar mundet që ende të mërzitet kur e lini atë në çerdhe ose te dadoja, por ai do e marrë veten më shpejt tani sepse ka fituar më shumë siguri. Përvoja dhe ndërtimi i aftësisë së të kujtuarit i kanë mësuar se ju do të ktheheni përsëri, pasi jeni larguar për pak kohë. Ju e keni ndërtuar besimin e tij duke i treguar në mënyrë të vazhdueshme se e doni dhe kujdeseni për të. 

Është gjithashtu ky besim që i jep atij sigurinë për të njohur dhe dalluar veten si individ i veçantë. Këmbëngulja e tij për të veshur rrobat që do për të shtatën ditë rresht, për të ngrënë vetëm një lloj ushqimi dhe për t’u çuar nga vendi i tij kur është në makinë, janë të gjitha shenja që tregojnë për rritje të pavarësisë së tij.

25 deri 36 muajsh
Midis moshës 2 dhe 3 vjeçare, fëmija juaj do të vazhdojë të luftojë për pavarësinë e tij. Ai do të largohet edhe më tepër nga ju ndërkohë që është duke eksploruar dhe do të vazhdojë të sprovojë kufijtë e tij (do të ngjyrosë muret, për shembull, edhe pse ju i keni thënë që të mos e bëjë). Në të vërtetë “unë mund ta bëj vetë” është ndoshta një nga refrenet më të zakonshme që mund të dëgjoni nga fëmija juaj në këtë moshë.

Roli juaj

Fëmija juaj ka nevojë për një lidhje të sigurt me ju përpara se ai të largohet dhe të eksplorojë botën e tij. Vazhdimisht dhurojini dashuri dhe mbështetje dhe kështu ai do të ndërtojë besimin që i nevojitet për t’ia dalë mbanë vetë. Duke filluar që kur ai është thjesht një foshnje, përgjigjuni menjëherë kur fëmija juaj ia nis të qarit. Ndërtoni atë lidhjen vendimtare duke e ushqyer atë kur është i uritur, duke i ndërruar pelenat kur është bërë pis dhe duke i buzëqeshur e folur kur ai ndihet në rrezik.

Ju mund të luani lojëra me fëmijën për të rritur botëkuptimin e tij rreth ndarjes dhe rikthimit (kështu ai mëson që të mos e zërë paniku kur ju largoheni për pak kohë). Për shembull, luani syllambyllazi, duke mbuluar fytyrën me duar ose duke u fshehur pas divanit, ose fshihni një lodër poshtë batanijes dhe gjejeni së bashku. Këto lojëra jo vetëm që të mësojnë, por gjithashtu ndërveprimi forcon ndjenjën e afërsisë me ju.

Për të zhvilluar pavarësinë, fëmija juaj ka nevojë që të sprovojë kufijtë e tij dhe të eksplorojë botën përreth, ndaj sigurojini atij një mjedis të sigurt në shtëpi. Në vend që të vini vërdallë duke i thënë “jo” sa herë që ai prek diçka që mund ta dëmtojë, mbajini sendet e rrezikshme larg fëmijës dhe vendosni shumë sende të sigurta pranë tij.

Inkurajojeni për të qënë i pavarur dhe për të krijuar botëkuptimin për veten duke i dhënë fëmijës mundësi për të zgjedhur dhe bërë gjërat vetë. Një zgjedhje mes dy veshjeve, ushqimeve ose një mbasditeje me veprimtari të ndryshme i lejon fëmijës suaj që të mendojë në mënyrë të pavarur, si dhe duke i dhënë që të pijë vetë nga gota ose të vendosë përsëri lodrat në vendin e tyre i tregon atij të mësojë të kujdeset për veten.

Kini në mëndje gjithmonë që ndonëse fëmija juaj po fillon të mundohet t’i bëjë gjërat vetë kjo nuk do të thotë që ai do të ketë më pak nevojë për mbështetjen dhe dashurinë tuaj. Ndërkohë që mund të rritet duke mos qënë “nevojtar” për çdo gjë, ai ka një nevojë të vazhdueshme për kujdesin tuaj.

Inkurajojeni gjithmonë sa herë që përpiqet që t’i bëjë gjërat vetë, por mos e largoni kur vjen me vrap te ju për mbështetje. Ai do të dojë dhe do të ketë nevojë për ju për ta siguruar për një kohë të gjatë.

Kur të shqetësoheni

Ndonëse ankthi i ndarjes është normal te foshnjat e moshave 10 muajsh deri në 2 vjeç, ju do duhet që të këshilloheni me mjekun nëse ankthi i tij përkeqësohet, aq sa ai nuk mundet që të bëjë asgjë pa ju patur afër, ose ai vazhdon që të mos qetësohet edhe pse ju keni kohë që jeni larguar prej tij.

Çfarë ndodh më pas

Me moshën fëmija fiton më tepër pavarësi dhe vetëdijësim. Çdo vit do të sjellë edhe më tepër gjëra që fëmija juaj do të dojë t’i bëjë i vetëm. Me rritjen e fëmijës ai do të bëhet edhe më i vetëdijshëm për veten e tij dhe për qëllimin e aftësive të tij.

Zhvillimet e mëvonshme do të përfshijnë aftësinë për të përgatitur vetë ushqimin e tij, të paturit e miqve dhe të shkuarit në shkollë.

4 fazat e zhvillimit të fëmijës – në këndvështrimin e një mamaje.